Gjilan

Edon Shkodra lë politikën, do t’i përkushtohet profesionit të inxhinierit

Edon Shkodra ka lënë politikën, duke bërë me dije se nga tash e tutje ai do t’i përkushtohet në tërësi punës profesionale. Ai ka qenë kryetar i nëndegës së LDK-së në Velekinicë dhe tash ka paralajmëruar se do të largohet nga politika.

Ja postimi i plotë i tij:

Të nderuar bashkëvendës dhe kolegë Unë, Edon Shkodra, i angazhuar në jetën e shoqërisë civile dhe asaj politike që nga viti 2013, gjatë gjithë këtyre viteve kam dhënë kohën, energjinë dhe besimin tim për një ideal që besoja se do të sillte ndryshim të vërtetë.

Kam marrë pjesë në fushata, tubime, organizime dhe në katërvjeçarin e fundit kam ushtruar përgjegjësinë e kryetarit të nëndegës së Velekincës! Por, pas më shumë se një dekade përkushtim, kam humbur besimin se politika brenda strukturave aktuale të partisë nuk përfaqëson më vlerat për të cilat kam hyrë fillimisht dhe për çka kam besuar.

Kam parë nga afër si interesat personale, klanet, përfitimet dhe servilizmi kanë zëvendësuar punën, meritën dhe sinqeritetin, duke e bërë të pamundur që njerëzit profesionist si unë me qëllime të pastra të kenë vend apo ndikim real. Në shumë raste, angazhimi i aktivistëve të ndershëm është shpërdoruar, ndërsa rezultatet zgjedhore dhe proceset e brendshme janë udhëhequr jo nga vizioni për qytetarin, por nga llogaritjet për pozita dhe përfitime. Këto zhgënjime të përsëritura më kanë bindur se rruga e vetme për të kontribuar me ndershmëri për shtetin dhe shoqërinë është jashtë politikës partiake. Prandaj, përmes kësaj shkrese, jap dorëheqjen time si kryetar i nëndegës si dhe nga të gjitha funksionet dhe aktivitetet politike. Nga sot e tutje, dua të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim vetëm në rolin tim profesional i si inxhinier, mënyrë të pavarur, duke e ruajtur integritetin dhe bindjen time se ndryshimi i vërtetë fillon nga puna, jo nga premtimet boshe. Si inxhinier, synimi im është të jem në shërbim të rrugës, lagjes, qytetit dhe shtetit tim, duke kontribuar me dijen dhe përvojën time profesionale me përkushtim për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

You Might Also Like