Libri

ELA

Tregimi që zuri vendin e tretë në konkursin letrar të Manifestimit “Flaka e Janarit” 2020

Muhamet HALILI

ELA

U lind në një ditë vjeshte me rrebesh shiu. Lotët e qiellit ishin lot gëzimi, sikurse lotët e nënës së saj. Qante edhe e porsalindura. Qeshte vetëm gjinekologu, buzëqeshje e mbetur nga rutina e përditshmërisë së tij.
E padëshiruar nga injoranca e fundshekullit njëzet, u la në maternitet. “Mëkati” i vetëm i saj ishte se erdhi në këtë botë, jo si fryt i dashurisë, por i një shfryrje shtazarake e një uniforme antinjeri, mbi një selvi trupnjomë, që edhe vet ishte fëmijë e po rritej akoma…!
Motrat e maternitetit e pagëzuan me emrin Ela.
Vetëm Ela, kaq! Mos pyesni për mbiemrin e saj!!!
Nëna që u detyrua ta linte, nuk kishte duruar gjatë dhe nga dhimbja e madhe e dilemës, kishte zgjedhur rrugën e shkurtë. Pasi u mund nga familja, rrethi dhe shoqëria, u gjet në një shtëpi të braktisur, në një dhomë fare të zbrazët, me vetëm një trup, një kukull, një karrige dhe një litar në të.
Për Elën nuk ishte interesuar më askush.
Nga të gjithë fëmijët e jetimores ajo pikasej për ëndrrat e saj fëmijërore. Truri i saj tejkalonte moshën që kishte.
Paradoksale për dike, e thellë për të tjerë, e pafat për të dyja palët!
Kujdestarët e jetimores habiteshin me zgjuarsinë e saj, botëkuptimin fëmijëror mbi të ardhmen.
Sa herë pyetej, brenda lojës, se çfarë do të bënte së pari po ta kishte në duar shkopin magjik?!- vinte përgjigjej rrufe nga goja e saj e vogël.
– Të pafuqishmit do t’i bëja me krahë!
Se çfarë do të dëshironte të bëhej kur të rritej?!- përgjigjen e kishte edhe më shpejtë se rrufeja.
Ushtare!
Në pyetjen shtesë, – Pse?!
Që të mos ketë luftë më asnjëherë! – vulosej përgjigjja e saj.
Ela, kjo vajzë me tipare të ëmbla të jepte përshtypjen e një vajze që shpërthen!
Por, dhimbja që ia shkakton përditshmëria, e heshtte zërin e saj.
Nga të gjitha fjalët, që i gjuheshin herë pas here, e të cilat do të duhej të zhdukeshin nga çdo gojë fëmijësh, ndjehej e fyer, por njëra e godiste, “thikë në zemër”.
Përpihej edhe kur i thoshin “e braktisur” edhe kur i thoshin “jetime që se do kush”, edhe se “e ka lanë nana”,…, e të tilla ngacmime, por trazohej si deti në motin më të lig, kur i thoshin “E ke babën shkja!”
Atëherë trupin e saj e përpinte tallazi, ajo valë e madhe që vije me vrull e që, sa hap e mbyll sytë, e dërgonte në katin më të lartë të ndërtesës, te muri i papërfunduar, e hapur krejtësisht në pjesën e paraparë për dritare.
Cepi ku vendoste këmbët përbënte vijën e hollë mes dritës dhe errësirës.
Gjysmat e sandaleve të saja, të nxjerra jashtë trajektores vertikale të murit, zinin komplet mazidallat e gjata të kopshtit të mbjella afër hyrjes.
Kur “hidhte’ hapin në ajër me njërën këmbë, atëherë mbulohej hapësira më e madhe e hartës së oborrit të jetimores, prej shputës së këmbës, asaj “pjesës magjike” të trupit me të cilën jepej një performancë e një shfaqjeje në ajër.
Dikur, hapte krahët në pozitën përqafuese dhe duke i mbyllur sytë dalëngadalë tretej në botën me ngjyra për të gjetur prehje te kujtimet e bukura për nënën, ndonëse imagjinare. Në ëndrrën e saj e pikturonte me nuancat e shumta të ngjyrës së bardhë!
Ëndrrat i kishte plotë shpresë, e kjo shpërfaqej kur rrezet e diellit vallëzonin në flokun e saj të përdredhur një valle lirike, e fytyra pikaloshe kuqej gëzueshëm dhe vishej me një buzëqeshje të veçantë, e tillë që prodhohet nga një fëmijë veçse kur ngrohet në një përqafim nëne.
Ela, ndonëse e vogël, kishte fuqi të madhe për të ëndërruar për një jetë të mirë. Kështu i mundte ngacmimet e bashkëmoshatarëve të saj “të pafajshëm“, por të “yshtur”, për të ngacmuar prushin që ndizte “betejat”, por që Ela po i fitonte me anë të meditimit, duke përdorur për “armë”, mburojën më të fuqishme në botë, qenien që quhet Nënë!!!
Asnjë sumbull loti në sytë e saj që tani më ia kishte falur qiellit. Me shikim të ngrirë drejt një pike të caktuar të thellësisë qiellore, sikur donte që aty ta derdhte lotin e “munguar” dhe dhimbjen, që ia përthekonte n’ grusht kraharorin e vogël. Dëshironte t’i ikte vuajtja në atë hapësirë boshe që shpirti t’i qetësohej.
Asnjëherë nuk ishte pajtuar se Zoti ishte treguar i padrejtë me të, por, priste t’i zgjatej një dorë që i nevojitej për ta ndryshuar fatin e saj. Një dorë nga qielli dhe shumë përgjigje!
Lundrimi në një qiell përplot pikëpyetjet mund të të kurthojë në një labirint të madh, andaj edhe një përgjigje sado e vogël përbënte shtegdalje.
Një shtegdalje që po kërkohej me ngulmë nga një palë sandale në të cilat shkriheshin rrezet që bënin që ato të merrnin një vezullim të tillë si të ishin shkëlqim sysh. Kushdo që do t’i kishte të mbathura mund të ndjehej si me krah, gati për fluturim!
Por, a do ta vriste shoqërinë injorante fluturimi fatal i një zogu harabel?!
A do të ishte kjo një akuzë e rëndë që do ta trande shoqërinë, e zhytur thellë në ndërgjegjen e vrarë?!
A do nxiste reflektim…?!
Edhe ca pikëpyetje të reja flakëroheshin qiellit si një dritë e fortë që pozicionohej në një vend, në pritje për t’u shlyer nga përgjigjja, e sandalet me shkëlqim sysh vazhdonin të thyheshin në mes, nga cepi i betonit të murit…!
Mungesa e përgjigjeve në shumë pyetje të listuara që sa kohë në kokën e saj, po ia rëndonin qepallat, por kapakët e syve iu hapen si shkreptimë nga zërat kumbues që jehonin plotë jetë.
Muzikaliteti që prodhohej nga kori i fëmijëve të jetimores, po e kërkonte, për t’iu bashkuar lojës Dita-Nata!
Ela u gjet mes, “dorës” së qiellit dhe dorës së zgjatur të moshatarëve, që prisnin për ta tërhequr si te loja “tërhiq me litar”…!!!
Qielli ruante kaltërsinë e saj me të gjitha nuancat, rrezet e diellit koreografinë, e sandalet shkëlqimin e tyre, derisa fluturimi i një harabeli, degë më degë, ndjehej si vallëzim që luhej nën melodi cicërimash me të cilat kombinoheshin edhe ca të qeshura fëmijësh, që i prodhonte loja e tyre në jetimore…!

You Might Also Like