Sporte të tjera

Elion Dërmakun sportisti i lindur në SHBA që ëndërron suksesin ndërkombëtar me shtetin e Kosovës

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një yll i ri i sporteve të forcës dhe estetikës trupore po tërheq vëmendjen e njohësve të fushës. Ai është Elion Dërmaku, një 18-vjeçar i lindur në Amerikë, por me rrënjë të thella nga qyteti i Gjilanit. Ndonëse jeton dhe vepron në Atlanta të Georgia, ëndrra e tij më e madhe nuk lidhet me arenat amerikane, por me përfaqësimin e shtetit të Kosovës në garat ndërkombëtare të bodybuilding-ut.

Sapo ka mbushur 18 vjeç, Elioni ka dy vite që i është përkushtuar maksimalisht këtij sporti sfidues. Pavarësisht moshës së re dhe kohës relativisht të shkurtër në palestër, performanca e tij lë përshtypjen e një atleti veteran. I gjatë 1.83 cm dhe me një peshë prej 68 kilogramësh, ai ka ndërtuar një fizik dhe një disiplinë që premtojnë një të ardhme të ndritur.

“Me sportin e bodybuilding-ut kam filluar të merrem para afro dy vitesh dhe jam i dashuruar pas tij,” shprehet Elioni për fillimet e tij. “Edhe pse ky sport kërkon ushtrime jashtëzakonisht të vështira dhe një regjim ushqimor special, dua që e gjithë kjo punë e imja të shpërblehet në arenat ndërkombëtare. Ky është synimi im kryesor, ashtu siç dua të bëj krenare familjen time me paraqitjet e mia.

” Ajo që e bën historinë e Elionit të veçantë është lidhja e tij shpirtërore me Kosovën. Si një i ri i diasporës, ai mund të zgjidhte të garonte për SHBA-në, ku ka lindur dhe jeton, por dëshira e tij buron nga patriotizmi dhe respekti i thellë për prejardhjen e tij.

“Ëndrra ime është që t’i mbroj ngjyrat e shtetit të Kosovës, shtetit të prindërve dhe të gjyshit tim,” thekson me krenari 18-vjeçari. “Edhe pse kam lindur në SHBA, dua që karrierën dhe rezultatet e mia t’ia dedikoj shtetit të Kosovës. Për këtë do të ndihesha jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur.”

Fjalët e talentit gjilanas nuk janë thjesht dëshira, por plane konkrete. Djaloshi tashmë ka filluar të mendojë për hapat e radhës dhe premton se brenda pak muajsh do të udhëtojë drejt vendlindjes së prindërve për të nisur bashkëpunimin me institucionet sportive atje.

“Gjatë pushimeve të verës do të jem në Kosovë dhe do ta vizitoj Federatën e Bodybuilding-ut për të parë nga afër se çfarë mund të bëjmë së bashku për të arritur te rezultatet kulminante. Dua që shumë shpejt t’i sjell shtetit të Kosovës medalje ndërkombëtare,” shton ai me bindje.

Për sportin kosovar, afrimi i talentëve nga diaspora ka qenë gjithmonë një vlerë e shtuar. Nuk ka dyshim se në rastin e Elion Dërmakut kemi të bëjmë me një sportist me potencial të kalibrit të lartë. Është një fat dhe mundësi e madhe për Kosovën që një talent i tillë, i formuar në shkollën amerikane të sportit, ka vullnetin e hekurt për të prezantuar vendin në arenën ndërkombëtare. Tani mbetet vetëm që institucionet t’i hapin dyert këtij ylli në ngjitje.

You Might Also Like