Gjilan

Ende ka dallime të mëdha ndërmjet punëtorëve dhe bizneseve sa i përket orarit të punës


Gjilan, 20 shtator 2019 / Rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste nuk po mirëpritet nga shumica e bizneseve në Gjilan, me arsyetim se reduktimet e ditëve të punës, jo vetëm që u shkaktojnë humbje atyre, por edhe do të jenë të detyruar të reduktojnë numrin e punëtorëve, përderisa punëtorët dhe shoqëria civile kërkojnë që të dielave dhe gjatë ditëve të festave të mos punohet.
Këto dallime i nxori në shesh edhe dëgjimi i sotëm publik, i cili u organizua për herë të dytë me radhë, pasi që Kuvendi Komunal nuk kishte arritur ta miratonte këtë rregullore gjatë muajit maj të këtij viti, kur me shumicë votash ishte vendosur që rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste të shtyhet për në shtator.
Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka thënë se Rregullorja për orarin e punës parasheh disa ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me ditën e diel dhe ditët e festave zyrtare, kur pos furrtarëve, salloneve të ondulimit, floktarëve dhe pikave të shitjes të shtypit ditor, nuk do të punojnë vetëshërbimet, supermarketet, shitoret tregtare ushqimore, shitoret tregtare të tekstilit, shitoret e lëkurë këpucëve, të teknikës së bardhë dhe veprimtarive tjera jo ushqimore, gjellëtoret, qebaptoret dhe autolarjet dhe as kompanitë ndërtimore.
Po ashtu, ditëve të vikendit dhe ditëve të festave zyrtare, nuk do të punojnë as kompanitë ndërtimore.
Fillimisht, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se qëllimi i Komunës është që përmes dëgjimit publik të arrijë deri te një rregullore sa më e mirë, e cila do të jetë e pranueshme dhe e zbatueshme, si nga bizneset, ashtu edhe nga punëtorët.
Por ajo u shpreh e brengosur me pjesëmarrjen e pamjaftueshme të përfaqësuesve të punëtorëve dhe të bizneseve në këtë dëgjim publik, duke shtuar se rregullorja, në rend të parë ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe në rend të dytë – interesat e bizneseve.
Ndërkaq, duke i parë mospajtimet e shprehura në dëgjim publik, Kurteshi-Emini tha se ndoshta do të nevojitet ende kohë që kjo rregullore të arrijë formën e duhur.
Me vërejtje dhe propozime në këtë dëgjim publik, janë përfshirë biznesmenë, përfaqësues të punëtorëve, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të subjekteve politike në vendimmarrjen komunale, të cilët varësisht nga këndvështrimi dhe interesat që përfaqësonin, kanë kundërshtuar ose mirëpritur ndryshimet e propozuara në këtë rregullore.
Një përfaqësuese e punëtorëve, duke e mirëpritur rregulloren, tha se prej tetë vitesh ajo nuk ka mundur të jetë në shtëpi për Bajram, për arsye se i është dashur të punojë dhe në këtë ditë feste.
Kishte edhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme, të cilët apeluan për mirëkuptim ndaj të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin e ndërtimit, i cili rrezikon të mbetet pa punëtorë në të ardhmen, nëse nuk respektohet orari i punës.
U tha po ashtu se ka kompani private, të cilat jo vetëm se nuk respektojnë orarin e punëtorëve, por femrave ua mohojnë edhe të drejtën e kthimit në vendin e punës pas pushimit të lehonës.

You Might Also Like