Sportet luftarake

Erdonis Maliqi boksieri gjilanas mposht me nokaut në raundin e tretë hungarezin Ferenc Katona

Boksieri 24-vjeçar nga Gjilani, Erdonis Maliqi, ka shënuar një fitore spektakolare në meçin e tij të radhës të zhvilluar mbrëmë në Belgjikë. Në përballjen e vlefshme për kategorinë 72 kg, Maliqi ka mposhtur me nokaut (KO) boksierin nga Hungaria, Ferenc Katona.

Meçi, i cili ishte paraparë të zgjaste gjashtë raunde, u zhvillua në sallën e njohur “Retours des boxeurs au Hall Omnisports Michel Daerden” në qytetin Herstal. Megjithatë, talentit gjilanas nuk i nevojitën të gjitha raundet për të treguar forcën e tij. Pas një fillimi të matur dhe studimi të kundërshtarit, Maliqi mori kontrollin e ringut duke e mbyllur takimin para kohe në raundin e tretë me një goditje vendimtare.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme që konfirmon formën e tij të shkëlqyer, 24-vjeçari nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë sukses në arenën ndërkombëtare.

“Jam i lumtur për këtë fitore. Kundërshtari ishte një boksier me përvojë dhe shumë i fortë, por me përgatitjet që i kisha bërë, arrita që në raundin e 3-të ta plandos në dysheme,” tha Maliqi pas meçit.

Boksieri gjilanas gjithashtu shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen për mbështetjen e marrë gjatë kësaj sfide: “I falënderoj të gjithë shikuesit që ishin të pranishëm dhe që më përkrahën.”

Kjo fitore bindëse shënon një hap tjetër pozitiv në karrierën në rritje të Erdonis Maliqit, i cili po vazhdon të ngrejë lart emrin e Gjilanit dhe boksit shqiptar në arenat evropiane.

You Might Also Like