Anton Nikë Berisha
ETJA E TRISHTMIT
(Brenda frymësisë së ngujimit për shkak të koronavirusit)
Më vjen me pahir ti etje e trishtimit
dhe zë vend në qepallat e dërrmuara
e ngjizësh me dhembjen, me lotët udhëtarë
që pa dashur i zgjojnë bebëzat e përgjumta
e tevona flakërueshëm rrjedh bashkë me ta
nëpër mollëzat e zbehura dhe zbret
me gëlim nëpër trupin e nemitur;
ndalesh për pak çaste pranë zemrës:
dëgjon të rrahurat e saj të përshpejtuara
si të notarit kur e mbërrin bregun
pas notit të gjatë e të mundimshëm,
ose nga rrjedhojë e shtypjes së lartë të gjakut,
mbase nga tundimi i lukthit të tendosur,
nga të ushqyerit e pakët që e vjedhim
nëpër shitore, të mbrojtur nga maskat
të përdorura disa herë ose të fishkuara
nga lagështia e kohës ose nga ndotja e ajrit.
Pastaj nëpër hapësirë të shtëpisë matësh
me shtypjen e vetmisë, me përmasën e marrë
nga dita paraprake ose nga kumtet që të
godasin me numrin e shumtë të infektimeve,
që sa vinë e shtohen, shtohen vdekjet!…
Në gjirin e vetmisë i ndien pëshperitjet e dhembjeve
të gjindjes që presin pak dashuri, pak prehje,
disa fjalë ngushëlluese, që së paku ato të mos
mbesin të ngujuara në shtëpi siç ngjet me njerëzit;
se kështu është rregulla e këtë gjithkush duhet
ta përfillë për të mos pasur dhembshuri të tjera.
E ti, etja e trishtimit, degëzohesh pa zë, pa tingëllimë,
ngarkohesh me ankth ose mbytesh në heshtje
si frymëmarrja, si ëndrrat, si vegimet:
mbretëron gjendje e pazakontë e po dole
jashtë të ndalin rojet e rendit dhe të denojnë
ose të fyejnë më rënd sa vetë dënimi –
këtë armë ata kanë e këtë armë e përdorin.
Kështu edhe ti mbërthehesh në përroin trazues
kurthohesh pa dashur në rrjetin e pësimit.
Me një fjalë, askush tani s’është me hënë të mirë:
virgjireshat e ndrydhin në vete zjarrin e epshit,
ofshamat e të moshuarve notojnë me mërzitje,
ndërsa lodrat e fëmijëve të shpërndara nëpër shtëpi
në heshtje me drojë dhe me padurim presin
buzëqeshjet e fëmijëve, përkëdheljen e tyre
që ngjasin fort rrallë ose nuk ndodhin fare!
Loti ynë udhëtar më thuaj kur do të ndalësh
në qepallat tona në këtë kohë dyfish të pakohë:
të këcënimit të koronavirusit të etshëm për vdekje
dhe udhëheqësve tanë të dehur nga ligësia
që s’kursejnë të na lërojnë dhe nëpër vene!
Prishtinë, 26 – 28 mars 2020