Libri

DHEU I HUAJ NUK TË JEP AS VEND PËR VARR!

Shkruan: Ajete ZOGAJ

DHEU I HUAJ NUK TË JEP AS VEND PËR VARR!

(Ibrahim Kadriu, “Varr i shitur në Damask”. Roman. Botoi Koha, Prishtinë, 2019)

Romani “Varr i shitur në Damask” jep një porosi të fuqishme për të gjithë ata që ia kthejnë shpinën atdheut: guri i rëndë peshon në vendin e vet e dheu i huaj nuk të jep as vend për varr!

Një jetë të tërë aktive në krijimtari, gazetar, redaktor, pedagog, autor i shumë librave të gjinive të ndryshme letrare: prozë, poezi, vështrime, shkrime e humoreska, reportazhe nga puna e tij si gazetar e udhëpërshkrime të shumta nga vende të ndryshme të botës, me krijimtarinë e tij ka sjell vepra cilësore, të cilat begatojnë botën e librit.

Ibrahim Kadriu, një autor tanimë i dëshmuar e i vlerësuar, ka lexuesin e vet, që nga vogëlushët të cilëve u dhuron vargje e libra të mrekullueshme e plotë imagjinatë; ndërkaq është mjeshtër i romanit, për çka është shpërblyer disa herë nga shoqata të ndryshme kulturore si dhe nga Ministria e Kulturës me çmime vjetore.

Shitja e varrit

“Varr i shitur në Damask” i autorit Ibrahim Kadriu, është një roman i cili që nga titulli të befason e të shtynë të mendosh se si mund të shitet varri, pse të shitet varri, kush e shiti varrin?!

Ky është fati i hidhur i shqiptarit ndër vite e shekuj, fat i keq, kobfat, që i detyroi ata ta shesin edhe varrin…e këtë me një mjeshtri artistike e shtjellon autori e romansieri i dëshmuar Ibrahim Kadriu në romanin e tij mjaft të realizuar “Varr i shitur në Damask”.

Është meritë e autorit që ngjarjet dhe të bëmat e një periudhe historike, t’i gërshetojë në mënyrë artistike, çka e bën librin të kapshëm e të dashur për lexuesin.

Libri “Varr i shitur në Damask” trajton fatin e një familje shqiptare nga regjioni i Dukagjinit, konkretisht nga Vrella e Istogut, familjen e Sokol Avdylit e cila personifikon fatin e shumë familjeve shqiptare jo vetëm të Kosovës (shqiptarët fatkeqësisht i kanë përcjellë katrahura të shumta gjatë gjithë historisë) dhe rrugëtime të dhimbshme biblike… Në të shumtën e rasteve ata ikën nga dhuna e terrori i pushtuesit serb… ikën e u dëbuan edhe në luftën e fundit…

Gjuha e simboleve

Romani i ngjason një libri monografik për familjen e Sokolit, ndërkaq, ngjarjet janë reale, nuk ka trillime e zbukurime, personazhet janë persona real të cilët bartin peshën e rëndë të robërisë nën pushtimin serb dhe ikjen nga dhuna për në vendet aziatike, fillimisht në Turqi e prej andej deri në Siri.

E veçanta e romanit është gjuha e simboleve, atyre simboleve të shenjta të cilave u qëndrojë besnik protagonisti kryesor i librit Sokol Avdyli. Është plisi, gjuha shqipe dhe identiteti i tij si shqiptar, që e bënë të shtegtojë nëpërmjet Greqisë në Turqi dhe prej atje në Damask, ku ai mund ta mbante plisin dhe veshjen kombëtare, e ku nuk do ta ndërronte identitetin (emrin, mbiemrin dhe gjuhën e tij).

Vlen të theksohet se, Sokol Avdyli, ishte simbol në vete, një shqiptar i devotshëm i cili u shndërrua në shqiptarin më të nderuar e më të respektuar në lagjen e Arnautëve të Damaskut, që u nderua në gjallje të tij, por edhe pas vdekjes, u kujtua me pietet dhe ishte shembull për të mirë tek të gjithë shqiptarët që kishin migruar atje, dhe jo vetëm për ta, por edhe për vendasit jo shqiptarë në ato hapësira.

Struktura artistike e romanit

Libri “Varr i shitur në Damask” është i strukturuar në gjashtë pjesë, e pjesët në Ndërkohë, të ndërlidhura aq bukur me ngjarje e ndodhi, me personazhet real, me sfidat dhe peripecitë e personazheve ,të cilat mbajnë lexuesin të lidhur fort me kohën dhe ngjarjet, sa që, libri lexohet me shumë ëndje dhe zgjon kërshërinë tek lexuesi duke kultivuar ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut e trojeve të të parëve.

Që në hapje të romanit, autori informon lexuesin për kohën dhe të dhënat e këtij libri, që sipas tij kapërcejnë dekadat, kurse historia e personazheve dhe syzheu i romanit fillon në Kosovë, por që pjesa më e madhe e tij zhvillohet larg Kosovës, larg atdheut….por me mendje dhe zemër të lidhur fort për trung e rrënjë

vendlindjeje…personazhet e këtij romani madje edhe ëndrrat i bënin në Kosovë e në vatrat e tyre stërgjyshore prej të cilave u dëbuan me dhunë.

Historia e familjes se Sokol Avdylit, gruas së tij Azize Maxharrajt, vëllait Nezirit kaçak, i vrarë nga serbët e që nuk i dihej varri, (vetëm setra të cilën Sokolit ia sollën pasi u vra, shokët e Nezirit, e që e mori kudo që shkoi me vete), gruaja e Nezirit, Shana dhe djali i saj Kadriu, vajzat e Sokolit, Hanifja e Zekija dhe vajza tjetër e vogël Magbulja e cila vdiq rrugës për në Turqi, e vëllau i vogël i Sokolit Halili me nusen dhe të birin Idrizin, janë vetën njëra nga ato familje që ikën nga dhuna serbe duke lënë vatrat e tyre e duke u degdisur rrugëve të Turqisë, deri në Siri e Damask në lagjen e Arnautëve.

Pjesa e parë e romanit me 110 faqe tekst, pasqyron vuajtjet dhe torturat që i bëhen familjes së Sokol Avdylit nga regjimi serb. Këto tortura shtohen me reformën agrare të cilën e zbatoi regjimi i atëhershëm kundër popullatës vendase duke ua marrë më forcë tokën, madje duke ua serbizuar mbiemrat me prapashtesat ‘viq’: “Vëllai, Neziri, i kishte folur diçka për planet e pushtetit serb. Ia kishte kujtuar ndryshimin e mbiemrave, duke ua shtuar atyre një ‘viq’ a ‘iq’, si prapashtesë. Kur iu kishte dashur një dokument, shërbyesi ia kishte shënuar mbiemrin Avduliq. Zyrtari nuk e kishte marrë parasysh reagimin e Nezirit kur e kishte ngritur zërin, duke ia bërë me dije se mbiemri i tij ishte Avdyli e jo Avdyliq…” (fq. 20).

Vuajtjet e kësaj familje bëhen edhe më të rënda kur ua marrin tokën me ndihmën e një shqiptari bashkëpunëtor i serbëve Emërllah Gexhës të cilin në shenjë hakmarrjeje do ta vriste Neziri, vëllai i Sokolit.

Punën e ndryrë të bashkëpunimit me serbët e vazhdon i biri i tij Hysni Gexha , i cili në shenjë hakmarrje për vrasjen e babait Emërllahut, shton presionin ndaj Nezirit dhe familjes së tij. Tortura çnjerëzore do të përjetonte në stacionin e xhandarmërisë gruaja e Sokolit ,Azizja, por edhe Sokoli, e që të dy do të liroheshin pas kërcënimeve që do t’i bënte Hysniut, Neziri.

Neziri do të vritej në pabesi në pritë, kurse pas vrasjes së tij, dhe marrjes së hakut nga shokët e Nezirit me vrasjen e Hysniut, jeta e Sokolit dhe familjes së tij në kullën e tij të dashur e vendlindjen e tij Vrellën, bëhet e pamundur.

Sokoli vendos të lëshojë vendlindjen dhe të niset drejt tokës së Anadollit.

Ajo që të bie në sy, është trajtimi që autori i bën rrugëtimit për në Turqi, posaçërisht, shpërfaqet bash-këpunimi i regjimit të atëhershëm serb me Turqinë në rregullimin e dokumenteve dhe depërtimin e bartjen e organizuar për ata që shpërnguleshin, e që për qëllim kishin zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët dhe kolonizimin e vendbanimeve të të shpërngulurve me kolonë serbë e malazias.

Pjesa e dytë e librit, mbanë datën 27 mars, kur Sokoli bashkë me familjen e tij të gjerë vendos ta lëshoj Kosovën.

Përshkrimi i ngjarjeve, rrugëtimi dhe peripecitë e shumta, janë përshkruar aq bukur nga autori Ibrahim Kadiu, që nga ambienti e bota emocionale e personazheve, sa që lexuesi i përjeton dhe i ndejnë emocionalisht dhe shpirtërisht, edhe pse i takojnë një kohe e realiteti të para disa dekadash… Mbase, ky rrugëtimi por edhe shtjellimi artistik i ngjarjeve, i ngjanë një drame të hidhur e cila do të mund të bëhej një skenar filmi…

Rrugëtimi për në Turqi është plotë skena të dhimbshme, veçmas rrugëtimi për në Bursa përmes Selanikut, solli shumë të papritura. Gjatë rrugës, Sokolit do t’i vdiste vajza e vogël Magbulja, kurse do të përballeshin edhe me goditjen e parë, apo rregullin e parë që vuri në pah, planet ogurzeza turko-serbe për shkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe ‘bërjen e tyre turq’ duke ua ndërruar emrat, mbiemrat dhe përkatësinë e tyre kombëtare. Janë skena të dhimbshme e mjaft prekëse, skenat kur familjarët e të vdekurve gjatë rrugës nuk gjenin vend për varr, kurse kufomat detyroheshin t’i hidhnin në det. “Kot e keni të mendoni për varr…Gjithë ajo masë në kuvertë u shndërrua në përcjellës të kufomës e cila, pas faljes u lëshua mbi varrin det…”(fq. 128).

Ishte e papranueshme për Sokol Avdylin që të vendosej në Brusa të Turqisë, aty ku nuk do t’i lejohej të mbante plisin e bardhë e veshjen e tij kombëtare, aty ku nuk do ta kishte emrin Sokol e as mbiemrin Abdyli, e ku nuk do të ishte shqiptar, por do të ishte turk. Këto rrethana do ta detyronin që të rrugëtonte atje ku i lejohej plisi, pra në Siri e të vendosej në Damask, ku do të takohej edhe me shumë shqiptarë të vendosur atje nga vendbanime të ndryshme të Kosovës, si: me Bekimin nga Gjilani, si dhe me shumë të shpërngulur të tjerë, ndër ta: Abdrrahman Arrnauti, Muhamed Nasuridin Albani, Sylejman Gavuqi, Shefqet Gvuqi, Ahmet Gegiqi, Zenun Gegiqi, Shyqri Gegiqi, etj.

Ruajtja e identitetit në tradita dhe martesa

Autori Ibrahim Kadriu, në shtjellimin e këtij ro-mani, duket ka hulumtuar e gjurmuar shumë, madje deri në detaje, që lexuesit t’i sjellë fakte të shumta për ngulimet e shqiptarëve të atë regjion, pra në Siri dhe Damask. Madje, nëpërmjet personazhit Sokolit por edhe të shqiptarëve të tjerë, shpalos preokupimin e tyre për martesat e të rinjve, të fëmijëve të tyre me shqiptar. Vajzat e Sokolit martohen me djem shqip-tarë të familjeve të dëshmuara atdhetare, Hanifja në familjen Gegiqi nga Peja, që ka pasardhës intelek-tualin e shquar Muhamed Mufaku – Arnauti, kurse Zekija për Jahjen një familje e përndjekur nga Toplica e vendosur në Llap.

Tipizimi i personazheve

Personazhet e romanit “Varr i shitur në Damask” tipizojnë në radhë të parë karakterin e shqiptarit: besën, traditën, bujarinë, mikpritjen, sinqeritetin, solidaritetin me njëri-tjetrin e me njerëzit në nevojë, e mbi të gjitha karakterin e pathyeshëm të kryerpersonazhit Sokolit për të ruajtur Plisin.

Ja se si e përshkruan Sokolin autori: “Sokol Avdyli ishte një burrë i hajthëm, me fytyrë paksa të gjerë, me mustaqe të prera në gjatësinë e buzëve, pjesa e skajshme e të cilave tëhollohej […]Shikimi i tij ishte domethënës, sidomos kur brendinë shpirtërore e kishte të lënduar, ose thënë më qartë: brendinë shpirtërore e kishte gjithmonë të plagosur dhe pa shpresë se mund t’i shërohej në ato kushte shkeljeje dhe torture nga serbët.”(fq. 16).Edhe personazhet babë e bir, Emerllah Gexha e Hysni Gexha bashkëpunëtorë të xhandarmërisë,autori i ka tipizuar me tiparet e ndyra që mund të kenë ata që punojnë për interesa të pushtuesve e kundër popullit të tyre. Ata janë e do të jenë gjithmonë të urryer.

Varri i shitur i Sokolit

Gjithsesi, që nga titulli, ajo që e mbanë të lidhur lexuesin me romanin, e bën kureshtarë, është varri i shitur për të cilin mësojmë në pjesën e fundit të romanit. Kjo pjesë është shumë e realizuar, por njëkohësisht edhe shumë prekëse e mbresëlënëse…” Çdo varr tjetër mund të hiqet, por varri i mixhës Sokol kurrsesi. Ne jemi gjeneratë që kemi marrë bekimin prej tij, o njerëz!Unë kujtoj që edhe lagja duhet të quhet me emrin e tij, e jo Divanje, kurse pa fije turpi doni që t’ia humbni gjurmët e varrit të tij. Unë nuk pranoj, kurrsesi. Ta gjejmë një vend tjetër për të ndjerin, Beqirin. Nëse paratë janë në pyetje, i paguajmë të gjithë…”. Pas këtij dialogu dhe endjeve për të gjetur varrin e Sokolit për ta varrosur në të Beqirin (ngase nuk kishte vend për varr), ndërhyrja e Halitit, ishte shumë e dhimbshme, ndoshta ndër skenat më rrëqethëse të romanit: “ –Kërkoj falje. Varrin e kam shitur unë, sepse më duheshin paratë për bukë! (fq. 331).

Për shqiptarët e Kosovës të cilët në periudha në ndryshme historike, u detyruan të iknin nga vatrat e tyre, janë shkruar libra të shumtë, kryesisht në rrafshin e librave historik. Ibrahim Kadriu, ia ka arritur si asnjë autor tjetër, që temën e rrëfimin historik, ta kthej në rrëfim artistik, e të përcjellë tek lexuesi të vërteta historike që nuk duhet harruar, e në të njëjtën kohë, të na njoftojë me burra e gra stoike, me gjeneratat e reja të këtyre familjeve, të cilat e dërguan në vend amanetin e të parëve. Disa prej tyre u kthyen në truallin stërgjyshor: nipi i Sokolit, Muhamed Mufaku- Arnauti e shumë pasardhës të tjerë, lanë e po lënë gjurmë si shqiptarë, që e duan dhe e çmojnë atdheun e tyre…

Romani “Varr i shitur në Damask” i autorit Ibrahim Kadriu, të mahnitë me shtjellin e realizuar, është roman që duhet lexuar, sidomos në këto vitet e fundit ku të rinjtë ikin nga Kosova, nga Kosova e lirë…

Mbase, romani “Varr i shitur në Damask” jep një porosi të fuqishme për të gjithë ata që ia kthejnë shpinën atdheut, se guri i rëndë peshon në vendin e vet e dheu i huaj nuk të jep as vend për varr!

You Might Also Like