OPINION

Fëmijët tanë nën presionin e teknologjisë – Sporti dhe aktiviteti fizik si shpëtim i zhvillimit të shëndetshëm

Shkruan: Dr. sc Mimoza Shkodra – Bislimi
Në një kohë kur fëmijëria po zhvillohet gjithnjë e më shumë nën hijen e teknologjisë, lëvizja fizike po zbehet. Tabletët, telefonat dhe ekranet janë bërë “lodrat” e reja, ndërsa lojërat e dikurshme në oborre, fushat e sportit e rrugicat e lagjeve janë zëvendësuar nga izolimi virtual.
Por çfarë po humbim?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2022), mbi 80% e fëmijëve globalisht nuk e arrijnë nivelin e rekomanduar të aktivitetit fizik ditor (së paku 60 minuta në ditë). Kjo po çon në një epidemi të re – jo të infektimit, por të pasivitetit, obezitetit, çrregullimeve emocionale dhe rënies së imunitetit.
Sipas të dhënave nga “Global Matrix on Physical Activity” (2023), Kosova është ndër vendet ku aktiviteti fizik i fëmijëve është në nivel të ulët, ndërsa koha e kaluar para ekranit po rritet me ritme alarmante.
Përse sporti dhe aktiviteti fizik është zgjidhje?
Sporti nuk është vetëm një mënyrë për të djersitur trupin – është një platformë edukimi. Ai mëson diciplinën, ndjeshmërinë, respektin për rregullin, dhe aftësinë për të përballuar sfida. Një fëmijë që luan volejboll, futboll apo noton, nuk mëson vetëm teknikë – ai mëson të bashkëjetojë, të luftojë me humbjen dhe të gëzojë pa e lënduar tjetrin.
Studime të shumta (Harvard Medical School, 2020; Canadian Sport for Life, 2021) dëshmojnë se fëmijët që merren me sport kanë rezultate më të mira në shkollë, vetëbesim më të lartë dhe shfaqin më pak sjellje agresive ose ankth.
Praktikat ndërkombëtare na tregojnë rrugën
Në Finlandë, çdo shkollë fillore e ka të detyrueshme edukatën fizike 5 herë në javë. Në Japoni, çdo mëngjes nis me ushtrime të përbashkëta në ambient të hapur. Në Norvegji, shkollat i ofrojnë fëmijëve më shumë se 60 minuta lëvizje të organizuar në ditë.
Po ne çfarë po bëjmë? Shumë shpesh, fëmija i cili ka energji, përjetohet si i “zëshëm”, i “padisiplinuar” dhe i drejtohet teknologjisë për qetësim. Por pasiviteti nuk është qetësi – është dëm i heshtur që manifestohet më vonë.
Thirrje për veprim
Të gjithë ne – prindër, mësues, trajnerë, institucione – kemi një përgjegjësi. Nuk mjafton të ankohemi për pasivitetin, duhet të ndërtojmë alternativa të gjalla.
– Të kërkojmë më shumë orë edukatë fizike në shkolla ( që te ne në nivelin shkollorë të klasës 1-5 shpesh as nuk mbahet ora e Edukimit Fizik)
– Të mbështesim hapjen e klubeve të sportit për fëmijët.
– Të jemi ne vetë shembull i lëvizjes për fëmijët tanë.
Në vend që t’u themi “mos rri në telefon”, le t’i ftojmë për një shëtitje, lojë apo ndeshje. Sepse një fëmijë që lëviz, është një fëmijë që rritet i shëndetshëm në trup dhe shpirt.
Sporti është një e drejtë e fëmijëve. Dhe detyrë e jona është ta bëjmë këtë të drejtë të prekshme.

You Might Also Like