OPINION

Njeri shembullor dhe patriot i flaktë

 

 Shkruan: Ismet Rashiti

 

Rrjedh nga një familje atdhetare nga fshati Proboc i Bujanocit. Pjesëmarrja e tij në 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dëshira e tij e fundit. « Jemi kënaqë në Vlorë. Tani edhe me vdekë nuk më mbeten sytë çelë », tha një ditë para vdekjes, Reshat Sadiku

                     Prindërit e atdhetarit, Reshat Sadiku :Xhemajl dhe Sabile Sadiku

 

Data 28 Nëntor 2012, na gjeti në Vlorë me atdhetarin, Reshat Sadiku. Së bashku me shumë veprimtarë të viteve më të rënda. Të përndjekur politik, ish të burgosur e familjarë të dëshmorëve. Të gjithë së bashku, në mënyrë të organizuar, shkuam në Vlorën e Ismal Qemalit dhe Isa Boletinit të festojmë 100-Vjetorin e Shqipërisë nënë, Atdheut tonë të përbashkët. Ishte kjo dita e Flamurit Kombëtar, për të cilin kishin dhënë jetën mijëra luftetarë trima, dëshmorë e heronjë të shumë brezave në mbrojtje të tokave shqiptare dhe Flamurit Kombëtar kuqezi me shqiponjën dykrenare në mes fushës së kuqe me gjakun më të mirë.

Reshat Sadiku i dyti nga e djadhta, pran akademik Rexhep Qosjes në Vlorë. Në foto : Hasan Malaj, Faik Jonuzi, i ndjeri, Kadri Rexhepi, Saime Isufi dhe Ismet Rashiti

 

Mes neshë ishte edhe një burrë i urtë, i kulturuar dhe mbit ë gjitha një atdhetar i madh, Reshat Sadiku. Reshati nuk fliste shumë, por nga pamja dukej se shpirti i tij po ngazllente nga gëzimi që ky vit historik po e gjente në Vlorën heroike. Dukej se Reshati po flutoronte pa krih që pas shumë e shumë sakrificash, burgjesh, ndjekjesh dhe luftrash për çlirimin e gjysmës tjetër të Shqipërisë, kishte ardhur dita e bekuar të festojnë së bashku në vendin e shenjtë të shqiptarëve, pranë plakut mjekërbardhë, Ismal Qemali, e Garibaldit tonë me fletë, Isa Boletini që atë ditë, më tepër se kurrë qëndronin kryelartë e krenar përballë qindra mijëra shqiptarëve që përuleshin me respekt para lapidarit gjigant në qendër të Vlorës.

Reshat Sadiku (nga e majta), përkrah Shaip Zeka, vëllau  i dëshmorit, Kadri Zeka dhe bashkëveprimtari, Faik Jonuzi

 

Atdhetari, Reshat Sadiku gjatë gjithë kohës nuk e ndalte këngën i buzëqeshur dhe i dashur për të gjithë. Gjatë dy ditëve, sa qëndruam në Vlorë, nga gëzimi dhe entuziazmi, i dukej se e tërë bota ishte bërë e tij. « Në jetën time nuk kam pasur gëzim më të madh », thoshte me modesti, ani pse vepra, puna dhe sakrifica  për çështjen kombëtare, ishte shumëherë më e madhe. Reshati nuk dinte të mburrej për ato që kishte bërë gjatë gjithë jetës për Shqipërinë dhe bashkimin kombëtar. Të gjithëve na përqafonte ashtu i buzëqeshur, i afërt dhe mirënjohës, por çdo herë qëndronte pran babait të dëshmorit, Sherif Januzi nga Breznica, mikut tij të dashur, Faik Jonuzit me të cilin ishin të pandarë në çdo hap : «Ka qenë njeri i mrekullueshëm. Veprimtar i devotshëm dhe shok i dashur. Në çdo moment e ndjejë mungesën e tij, në çdo hap më përcjell zëri i tij, humrori i tij dhe buzëqeshjet e tij miqësore. Edhe pas pesë vitesh, saherë dalë këtu te « Kristali » me pirë kafe, më bëhet se po vjen ashtu i buzëqeshur e krahapur… « kujton me respekt të madh, miku i tij, Faik Jonuzi. Të tillë e përshkruan edhe veprimtari tjetër, Saqip Zymberi, i cili aktualisht jeton dhe vepron në Zvicër: «  Pas vdekjes së papritur të Reshat Sadikut, disi nuk më vihet në Gjilan. Prezenca e tij  ma bënte më të afërt  Gjilanin. Kisha dëshirë të vija sa më shpesh, por ja që fati i tij ka qenë i tillë. Na iku kur na duhej më së shumti ! », thot Saqipi me sytë e përlotur që i vezullonin si kristal mbrapa xhamit të syzeve të trashë. Ndërkaq autori i këti shkrimi, përpos  shumë kujtimeve me Reshatin në manifestimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë në Vlorë, kujton takimin e fundit në viti një ditë para se të ndrronte jetë : « Asesi të pajtohem se tani nuk ndodhet në mesin tonë, Reshat Sadiku. Sapo ishim kthyer nga Vlora. Mua mu dashtë patjetër të marrë pjesë një një tubim në Viti. As që kisha menduar se dikun aty, krejt afër meje, mund të ishte Reshati. Ai kishte ardhur, ishte ulur diku mbrapa. Pasi mbaroi tubimi më doli papritmas para syve me atë buzqëshjen e natyrshme njerëzore që shprehte tërë botën e tij të brendëshme. U përqafuam, biseduam pak në këmbë dhe aty dikun pitëm kafën e fundit. « Jemi kënaqë në Vlorë. Tani edhe me vdekë nuk më mbeten sytë qelë » – më tha Reshati. Sot e asaj dite më kanë mbetur në kujtesë ardhja e tij e papritur në Viti, fjalët që mi tha dhe përqafimi i fundit si një parandjenjë për vdekjen e tij të papritur, kujton autori i këti shkrimi, Ismet Rashiti.

Si duket vizita në Vlorë në këtë përvjetor të madh, kishte qenë edhe udhëtimi i fundit, i atdhetarit, Reshat Sadiku, këti burri sypatrembur, të fjalës e të veprës konkrete për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Vetëm tri ditë pas kthimit nga kjo ngjarje e madhe, e papërsëritshme historike, të dielën e 2 dhjetorit 2012, papritmas ndrron jetë fizikisht në Gjilanin e tij të dashur më shumë se jetën. Vdekja e papritur, e Reshat Sadikut, luftetarit të çlirimtares, na ka goditur rëndë të gjithëve. Ka prekur në zemër e shpirtë familjen, shoktë, miqtë, bashkëveprimtarët e bashkëluftetarët e shumtë të cilët edhe sot ndjejnë dhembje e krenari që patën fatin t’a njihnin nga afër këtë burrë Kosove.

Atdhetari, Reshat Sadiku, pesë vjet më parë varroset me nderime të mëdha nga forcat e TMK-së dhe qytetarët e Gjilanit

 

Tani po mbushen pesë vite që Reshati ynë, nuk ndodhet fizikisht në mesin tonë. I vetmi « gabim », i Reshatit ka qenë ndarja e shpejtë  dh e papritur nga kjo botë sepse, Atdheu ka ende nevojë. Reshat, e ndjejmë mungesën tënde edhe sot. Kudo që jemi, të kujtojmë, të mbajmë në zemër e mendje, sepse Ti ishe shembulli më i mirë i një njeriu të përkryer. Ishe dhe mbete shembull i një patrioti të pastërt si loti, i një veprimtari të devotshëm dhe i një luftetari trim.

Atdhetari, Reshat Sadiku, u lind më, 15 tetor 1958 në fshatin Proboc të Bujanocit, në një familje atdhetare, arsimdashëse  dhe të edukuar nga babai Xhemaili dhe nëna, Sabile. Në vitin 1968, në vitet e kthesave të mëdha kombëtare, familja Sadiku vendoset në Gjilan, ku jeton edhe sot si një familje e nderuar dhe me shumë ndikim. Shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në Gjilan. Qysh si maturant në shkollën « Zenel Hajdini », në vitin 1981, burgoset dhe i pamundësohet vazhdimi i shkollimit  për shkak veprimtarisë së tij atdhetare.

 

                                      

  Atdhetari, Reshat Sadiku me bashkëshorten, Eminën dhe fëmijët, Kushtrimi, Dardani dhe Kaltrina

 

Në vitin 1998, Reshat Sadiku kyqet në radhët e UÇK-së në njësitet e qytetit, ku dallohet me përkushtimin dhe guximin e pashoq. Pas, luftes, sistemohet në Departamentin e Operativës të Zonës së 6-të të TMK-së në Gjilan me gradën toger, ku edhe punon deri në pension (2008).

Atdhetari i njohur, jo vetëm në Anamoravë, Reshat Sadiku, ka lënë mbrapa bashkëshorten, Eminen, djemtë, Kushtrimin e Dardanin dhe vajzën, Kaltrinën të cilët, falë punës së madhe të prindërve, janë shembull i mirë në Gjilan. Kushtrimi ka mbaruar me sukses, Akademinë Policore në Ankara të Turqisë dhe është ende i papunë,   Dardani punon në IT në FFK, ndërsa Kaltrina është absolvente në Fakultetin Ekonomik. Familje e edukuar me taban të fortë kombëtar. S’ka si të jet ndryshe, kur kjo familje den baba den është radhitur përkrah çështjes kombëtare.

Tanin në pesëvjetorin e vdekjes së papritur, Reshat Sadiku nderohet e kujtohet me nderimet më të mëdha nga të gjithë bashkëveprimtarët dhe qytetarët e Anamoravës dhe më gjërë. Kujtimi për Reshatin nuk do të vdes asnjëherë !

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

You Might Also Like