Shkruan: Bashkim Isufi
Në qytetin e Gjilanit është duke u shfaqur një fenomen shqetësues, ku në hapësira të cilat më parë kanë qenë të destinuara për gjelbërim apo të mbjella me drunj dekorativë, po vendosen struktura reklamuese.
Ky trend jo vetëm që cenon estetikën urbane, por ndikon drejtpërdrejt negativisht në mjedis dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Zëvendësimi i hapësirave të gjelbra me vendosjen e strukturave reklamuese përbën regres në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe tregon mungesë të mbrojtjes së interesit publik.

Në këtë drejtim, kërkoj nga organi kompetent që, në ushtrim të kompetencave të tij ligjore, të ushtrojë kontroll inspektues mbi ligjshmërinë e këtyre vendosjeve, duke verifikuar nëse të njëjtat janë pajisur me lejet përkatëse për vendosjen e strukturave reklamuese.
Po ashtu, të konstatohet në veçanti nëse për vendosjen e tyre në hapësira të gjelbra ekzistojnë pëlqime apo miratime nga sektori përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit, si dhe nga organet kompetente komunale.
Në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore, kërkoj që të ndërmerren pa vonesë masat përkatëse ligjore dhe administrative, përfshirë largimin e strukturave të vendosura në kundërshtim me ligjin dhe rikthimin e hapësirave të gjelbra në gjendjen e tyre të mëparshme.
Ky fenomen kërkon reagim të menjëhershëm institucional, ndërsa çdo mosveprim në këtë drejtim përbën cenim të interesit publik dhe përgjegjësi institucionale për degradimin e hapësirave publike në qytetin e Gjilanit.


