Futboll

Ferizaj shpreson në pikë ndaj Ballkanit

Ferizaj kishte udhëtuar i ‘dorëzuar’ në Gjilan për t’u përballur ndaj Dritës, pasi që munguan nëntë futbollistë titullarë. Për vështirësitë e kësaj ndeshje ishte i bindur edhe trajneri i kësaj skuadre Burim Qerkini, i cili pas ndeshjes theksoi se ka mbetur i kënaqur vetëm me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në pjesën e parë të lojës, shkruan Gazetasheshi.com.

Në mikrofonin e “Super Sport Kosovës”, tekniku ferizajas gjithashtu paralajmëroi edhe skuadrën e Ballkanit, kundërshtarin e radhës të “Ujqërve” në kuadër të Superligës.

“Në këtë ndeshje udhëtuam pa disa futbollistë titullarë dhe ishte mjaft e vështirë ndaj një skuadre siç është Drita. Mund të them që jam i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët në pjesën e parë, por me dy gabime në repartin defansiv në pjesën e dytë edhe pësuam duke e humbur ështu ndeshjen”, deklaroi fillimisht Qerkini.

“Me rikthimin e futbollistëve titullarë besoj që në ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit do marrim rezultat pozitiv, pavarësisht që Ballkani ka një ekip mjaft të fortë dhe do jetë një mision tepër i vështirë. Por, po e them me rikthimin e futbollistëve titullarë kam besim që do marrim rezultat pozitiv”, përfundoi shefi i shtabit teknik te Ferizaj.

Pas humbjes ndaj Dritës, Ferizaj mbetet me 25 pikë në zonën e rrezikshme.

/Gazeta Sheshi/

You Might Also Like