Futboll

Fitore e madhe e Gjilanit

Gjilani ka zhvilluar një ndeshje shumë të rëndësishme në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kundër Llapit vendas, ngase edhe këtë javë i ishte dhënë mundësia që me fitore eventuale të kalojë në pozitën e tretë, e cila i mundëson daljen në Evropë.

Kuq e bardhët shumë mirë e kanë nisur ndeshjen dhe që në minutën e dhjetë ia kanë dalë të shënojnë. Blerind Morina nga e majta asistoi për Prapashticën e ky në anën e kundërt e gjeti Oltion Bilallin, i cili nga afërsia nën trupin e portierit Bllaca e futi topin në rrjetë për 0:1.

Dukej se Gjilani po menagjonte mirë lojën deri në fund të pjesës së parë, por pak përfundimit të pjesës së parë, Edon Sadriu ia doli të barazojë për 1:1.

Ishin sërish mysafirët nga Gjilani që luajtën më mirë në pjesëlojën e dytë dhe qendërsulmuesi Jaroviq me një aksion vetjak kaloi disa mbrojtës, por kur u fut në zonë u kap për fanelle nga Idrizi dhe ra në tokë. Në fillim gjyqtari nuk dha penallti, por pas rishikimit në sistemin VAR ai ndërroi mendje. Jaroviq dha dënimin më të rëndë në futboll, Bllaca e hetoi anën se ku do të gjuajë, por pa arritur ta ndalë topin dhe rezultati ishte 1:2.

Në minutën 73, ndodhi një kryevepër e Blerind Morinës, i cili nga një pozitë anësore me një goditje me hark qëlloi këndin e epërm të majtë të Bllacës për rezultatin 1:3.

Në minutën 81, gjyqtari dha penallti për Llapin, pas një harkimi nga e majta dhe u pertendua se mbrojtësit e Gjilanit luajtën me dorë. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Muhamed Hyseni, që zvogëloi rezultatin në 2:3, që doli të ishte përfundimtar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like