KULTURA

“Flaka e Janarit 2019” i kushtohet 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit

Gjilan, 16 janar 2019 – Manifestimi shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili këtë vit mbahet për herë të 28-të, Gjilanit dhe organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Lutfi Hazirit, i kushtohet 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit.

Për dallim prej viteve paraprake, më 11 janar është ndezur Flakadani tek sheshi “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”.

Manifestimi zyrtarisht do të hapet të enjten (17 janar) me Akademinë e Flakës kushtuar 20-vjetorit të çlirimit (16:00), për të pasuar në ora 17:00 me hapjen e ekspozitës së arteve figurative, të cilat kohëve të fundit po cilësohen si arte pamore.​

Më 19 janar do të mbahet tryeza historike kushtuar vepres së kolosit Mulla Idriz Gjilani, ku pritet të flasin historianët më në zë, për të vazhduar me një Akademi përkujtimore më rastin e 13-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit, dr. Ibahim Rugova më 21 janar,  ku pos kryetarit Hazirit, pritet të flasin dhe prof. dr. Enver Bytyqi ( nga Shqipëria ) si dhe njëri nga përcjellësit e tij besnikë dhe shef i protokollit  për një kohë të gjatë, Adnan Merovci.

Pjesa artistike e Akademive do të pasurohet me program muzikor mjaft atraktiv nga musafirët e vendit nikoqir Kori i Qytetit të Gjilanit, Kori prestigjioz “SIPARANTUM” duke sjellë program të veçantë për këtë Edicion.

Pas një koncerti të muzikës serioze , në mbrëmjen e 21 janarit, ku do të performojnë artistë të kësaj fushe nga Shqipëria, pason “Talia e Flakës”, ku auditorit gjilanas e më gjerë do t’i paraqiten pesë shfaqje teatrore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Si rëndom, edhe këtë vit, fëmijët  gjilanas do t’i bashkangjiten këtij Manifestimi me “Xixat e Flakës” (28 janar), për të kulmuar me dy veprimtaritë qendrore të artit letrar dhe atij muzikor, “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka”.

Përndryshe, Komuna e Gjilanit edhe më tutje pret ndihmë financiare nga institucionet qendrore të Kosovës, pasi ky manifestim i cili nderon heronjtë, dëshmorët dhe martirët përmes vlerave kulturore, vitin e kaluar është mbështetur krejtësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

You Might Also Like