LAJME

Flurim Arifi beson se PDK-në do ta rikthejë në parti fituese në Gjilan

INTERVISTË ME KANDIDATIN PËR KRYETAR TË PDK-SË NË GJILAN,  FLURIM ARIFI

 

Kryelajmi: Z. Flurim Arifi, ju keni kandiduar për postin e të parit të Degës së PDK-së në Gjilan. Paraprakisht, si po ndiheni në këtë fazë?

 

Flurim Arifi: Si kandidat për të parin e PDK-së në Gjilan, po ndihem shumë mirë, pasi që kam gjetur një frymë, një vullnet dhe një dëshirë të madhe të anëtarësisë së gjerë të PDK-së, si dhe strukturave të saj, për ndryshime të brendshme në subjektin tim, për reforma, që nënkupton secili në vendin e vet meritor; për nisjen e një procesi ndryshimesh në funksionimin e Degës së PDK-së dhe të nëndegëve të saj. Po ndihem mirë që po kyçem direkt në këtë proces reformues brenda Degës së PDK-së në Gjilan, që nuk po kërkohen vetëm nga anëtarësia e gjerë dhe strukturat drejtuese partiake, por edhe nga vetë qytetarët e Gjilanit. Kjo e bën kandidaturën time më të përgjegjshme dhe me pritje të mëdha, por është edhe kënaqësi që t’i shërbej qytetit tim përmes angazhimit në PDK.

 

Kryelajmi: Z. Arifi, a do të keni kundërkandidatë brenda PDK-së?

Flurim Arifi: Dëshira ime e vetme në këtë rast është që procesi zgjedhor të jetë demokratik, korrekt, transparent dhe i hapur, dhe absolutisht besoj se ashtu do të jetë! As nuk do të bëjmë poza demokratike që domosdoshmërisht ta qesim një kundërkandidat, as nuk do të hidhërohemi nga konkurrenca e madhe. Unë mendoj se secili anëtar dhe anëtare e PDK-së, ka të drejtën e kërkimit të besimit për ta drejtuar Degën e PDK-së. Askush nuk ka fuqi për ta privatizuar partinë politike. Ajo është e të gjithëve dhe kështu do të mbetet jetëgjatësisht. Unë jam i interesuar që të kandidoj me program, me ide konkrete, me platformë, me projekt të shkruar për ndryshimet që duhet të ndodhin brenda Degës dhe në qytetin e Gjilanit. Unë si kandidat, tashmë kam publikuar programin dhe vizionin tim në mënyrë të detajuar, me mundësi të pasurimit edhe më, gjatë procesit.

 

Kryelajmi: Z. Arifi, jeni një rast i rrallë kur dilni si kandidat edhe për zgjedhje të brendshme, me program të shkruar dhe të publikuar. Pse zgjodhët këtë mënyrë të funksionimit?

Flurim Arifi: Unë kam dashur që të paraqes vizionin tim për ndryshimet në drejtimin e Degës së PDK-së dhe të ardhmen e saj. Besoj se këto ndryshime janë të mirëpritura, sepse janë nga terreni, nga takimet e shumta që po zhvilloj me anëtarë e simpatizantë të PDK-së, por edhe me qytetarë të Gjilanit, që po përcjellin zhvillimet brenda PDK-së. Ndryshimet në PDK janë me rëndësi për tërë qytetin e Gjilanit, pasi pushteti aktual është mjaft komod. Ardhja ime në krye të PDK-së, në mesin e shumë synimeve të tjera, ka për synim edhe krijimin e një alternative politike për qytetarin e Gjilanit, duke rikthyer besimin në komunë, me një transparencë të plotë në qeverisje, e cila po i mungon Gjilanit.

Kryelajmi: Z. Arifi, sa e keni përkrahjen e strukturave të PDK-së në qendër dhe nga lideri Kadri Veseli?

Flurim Arifi: E përbashkëta ime me liderin Kadri Veseli, është synimi për reforma në nivel qendror e lokal. Ne besojmë se kryetari Veseli po tërheq mjaft shumë të rinjët për të aderuar në PDK. Strukturat e PDK-së mbështesin çdo kandidat që del nga vullneti i anëtarësisë së gjerë. Ne kemi përkrahjen e plotë të strukturave aktuale të PDK-së në Prishtinë dhe liderit reformator, por vendimtare mbetet përkrahja nga votuesit brenda partisë dhe të strukturave në Gjilan.

Do të bashkëpunoj me të gjithë, për të ndarë ide, përvoja dhe plane për transformimin e Degës dhe rivitalizimin e saj. Kryetari Veseli, si përparësi të madhe, ka afërsinë me të gjitha gjeneratat dhe veçmas mbështetjen që e bën për brezin e ri.

Kryelajmi: Z. Arifi, a besoni se do të fitoni?

Flurim Arifi: Ekziston një besim paraprak për të hyrë në zgjedhje të tilla me shumë përgjegjësi. Pa pasur një besim se jam i mirëpritur nga anëtarësia dhe strukturat, as nuk do ta provoja. Nuk jam prej atyre që improvizoj e simuloj. Jam me vullnet, këmbëngulje dhe dëshirë për ta transformuar Degën e PDK-së në një degë më aktive, më tërheqëse për të rinjët, për banorët e lagjeve urbane, për shumicën e fshatrave dhe këdo tjetër.

Kryelajmi: Z. Arifi, cila është ana juaj më e fortë?

Flurim Arifi: Përparësia ime qëndron në atë se, unë e shoh veten si dërmjetësues dhe ndërlidhës i dy brezave: brezit shumë të ri dhe brezit më në moshë. Jam mu në mes tyre, si urë kaluese e bashkëpunuese; si person unifikues dhe reformator. Faza e parë veçse ka filluar akoma pa marrë pozicion real nga legjitimiteti i brendshëm, pasi zgjedhjet priten të mbahen shumë shpejt. E them këtë, ngase në zgjedhjet e brendshme, si kandidat, ju duhet ta keni një vizion, një program, një platformë të shkruar, dhe unë  këtë e kam bërë kohë më parë.

Kryelajmi: Z. Arifi, në rast se do të bëheshit kryetar i PDK-së në Gjilan, me kë do të bashkëpunonit?

Flurim Arifi: Në shoqërinë demokratike dhe modelin e sistemit zgjedhor në Kosovë, çdo parti, përderisa certifikohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila nuk ka simbole të urrejtjes ndëretnike, ndërfetare e fashiste, është pjesë e bashkëpunimit tonë. Nëse ne e shohim se, një subjekt politik e do qytetin dhe e vë në fokus qytetarin e Gjilanit, unë bashkëpunoj me lehtësi. Por nuk janë vetëm partitë politike e demokratike me të cilat do të bashkëpunojmë, por, do të bashkëpunojmë edhe me shoqërinë civile, mediet lokale, komunitetin e biznesit, shoqatat e mërgimtarëve që ndihmojnë vendlindjen, dhe me të gjitha grupet tjera të interesit dhe komunitetet, pa dallim.

Kryelajmi: Z. Arifi, faleminderit shumë për intervistën!

Flurim Arifi: Faleminderit portalit tuaj për bashkëpunimin!

You Might Also Like