Me dhjeta qytetarë ishin radhitur në radhë për ve në njërën nga qendrat e mëdha të Gjilanit. Një fletërrufe me “zbritjen e madhe” e lëshuar në fletushka që dërgohen shtëpi më shtëpi kudo nëpër Gjilan e ku një tabelë ve kushtonte 0,99 euro ka barë që shumë qytetarë t’ia mësyjnë këtyre qendrave, kurse sasia ishte aq e vogël e tyre, sa që shumë prej qytetarëve mbetën me duar bosh.
Kur punëtori i sektorit po e sillte një sasi me ve, ai ende pa mbërrirë te destinacioni ku njerëzit po prisnin në radhë, mbeti me karrocën e zbrazur, ngase rrugës atij iu morr e tërë sasia.
Varfëria ka kapluar qytetarët, kurse pritjet u ngjasojnë atyre të Shqipërisë së viteve të tetëdhjeta e nëntëdhjeta, kur me orë të tëra pritej për një litër qumësht.
Deri para pak muajsh, qendrat e mëdha tregtare garonin se kush do të shet mall më të lirë, kurse tashti çmimet janë ngritur në mënyrë marramendëse, kurse makinacionet me ulje të çmimeve të artikujve esencialë po u shërbejnë sa për të tërhequr konsumatorët për të blerë edhe gjësende të tjera. Si mund të kuptohet ndryshe, sasia aq e vogël e mallrave që hidhet në treg.
“PO pres me orë të tëra për të marrë ca ve në lirim, por si duket qenkemi mashtruar”, thotë një i moshuar që shton se ka dalë prej zorit. “100 eurot që na janë premtuar nga qeveria për muajin e ardhshëm, si duket nuk do të kenë asnjë vlerë”, thotë i moshuari.
Kohëve të fundit, çmimet po rriten në mënyrë marramendëse e më së tepërmi janë rritur ato të konsumit të përditshëm si mielli, vaji, sheqeri e gjësende të tjera.
Ndërmarrësit e tregtarët, që duket janë sinkronizuar dhe i ka kapur mania e rritjes së çmimeve kanë rënë në ujdi të plotë, kurse shtresa më e varfër e qytetarëve po pëson më së shumti.
Edhe nëpër kafiteritë e Gjilanit, që deri para pak muajsh ke mundur të pish një kafe me 50 cent, tashti çmimi është rritur prej 70 e deri në një euro. Është absurde që një shishe ujë, e cila mund të blihet me 12 cent, të shitet 70 centë apo një euro e krahas kësaj janë rritur çmimet edhe të pijeve të tjera me më tepër se 150 përqind.
Çmimet po rriten lart e më lart e varfëria po shtohet, por a ka kush që e ndal këtë trend.
Kryelajmi.com