Hasan BUNJAKU – Gazetar. U lind më 01.01.1944 në Desivojcë të Kamenicës (Dardanës), ndërkaq që, më 1949, me familje, u shpërngul në Gjilan, ku, si nxënësi më i mirë i brezit të tij, kreu Shkollimin Fillor e atë të Mesëm (Shkolla e Mesme Ekonomike), nga e cila, si maturant, më 1964, për shkak të veprimtarisë ilegale atdhetare, me Rexhep Elmazin, Teki Dervishin, Beqir Musliun e të tjerë në KRBTSH, të cilës i printe Adem Demaçi, nga organet udhëheqëse të shkollës, iniciuar nga UDB, me kualifikimin “… si shovinist dhe nacionalist shqiptar, antijugosllav, për rrezikimin e integritetit territorial të RSF Jugosllavisë, përjashtohet nga të gjitha shkollat e mesme, pa të drejtë regjistrimi në shkollat tjera, në afat të pacaktuar…”… Më 1966, pas rënies së A. Rankoviqit, “u rehabilitua” dhe vazhdoi, fillimisht, Shkollimin e Lartë në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prizren, ndërkaq atë sipëror në Fakultetin Filozofik të UP, me korrespondencë. Fillimisht punoi arsimtar e me nisjen e punës së Radio Gjilanit, fillimisht si bashkëpunëtor i jashtëm, e më pas gazetar i parë profesionist, ndërkaq, që nga viti 1974, e deri, me mbylljen e saj, punoi korrespondent i rregullt nga Gjilani i NGBG “Rilindja” Prishtinë, ku çmua dhe vlerësua më se njëherë nga Stafi drejtues i kësaj gazete, atëbotë të vetme të përditshme në gjuhën shqipe, në të cilën, në cilësinë e reporterit, i përcolli të gjitha ngjarjet sportive të kësaj komune, e veçmas futbollin duke e përcjellë skuadrën gjilanase në Ligën e Dytë Qendrore të ish-RSFJ. Është pjesëmarrës i një vistër Festivalesh e ngjarjesh tjera kulturore të të gjitha rangjeve në tërë territorin ish-jugosllav. Pas luftës themeloi Radiostacionin Rajonal “Megavox”, të cilin e drejtoi në cilësinë e kryeradaktorit e të përpiluesit të të gjitha emisioneve informative. Punoi edhe udhëheqës i Kulturës në Gjilan. Për punën e tij, me dhjetëra herë u laureua me çmimet më prestigjioze. Që nga viti 2009, u pensionua, ndërkaq që punën e gazetarit e të analistit të veprimtarive të artit e të kulturës, nuk e ndërpreu as sot, ku jeton në Gjilan./kryelajmi.com/.