Gjilan – Në ndeshjet e fundit të Superligës së Kosovës, KH Drita fati ia ktheu shpinën me lëndime të disa hendbollistëve dhe nuk arriti ndër katër skuadrat e para të renditet për të marrë vizën e Play Off-it në Superligën e Kosovës në hendboll.
Në radhët e “bardh e kaltërve” të Dritës shkëlqeu “bomberi”, Gëzim Misimi, i cili ishte i pamëshirshëm për portat kundërshtare, duke shënuar 262 gola nga 28 takime.
Mesatarja e “snajperistit”, Misimi për çdo ndeshje i bie nga 9.3 gola për çdo ndeshje, duke qenë enigmë e pazgjidhur për kundërshtarët e Superligës së hendbollit të Kosovës.
“Unë nuk kam pasur asnjë synim që të jem golashënuesi më i mirë në Superligë, jam krenar për këtë arritje duke ditur se ne Superligë ka shumë hendbollistë cilësor dhe për këtë i falënderohem bashkëlojtarëve të cilët më kanë përkrahur dhe pa ta ky sukses do të mungonte”, thekson Misimi.
Gëzim Misimi nuk zgjedh pozita se nga cila pjesë e fushës shënon, por ky hendbollist karakterizohet me shkëputje dhe me gjuajtje precize dhe të fort.
“Goli është gol, për mua është me rëndësi topi ta kalon vijën fatale, a është i bukur goli apo jo nuk më intereson për mua është që të kontribuoj për sukseset e klubit tim Drita”, bën të ditur Misimi.
Është interesant dhe befauese Misimi edhe pse është një hendbollist shumë cilësor dhe golashënues i spikatur, ende nuk ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll.
“Nuk di çka të them nuk është punë e imja të komentoj ftesën nga selektori, e imja është të dëshmoj vetën në parket por shpresoj se tani e tutje krerët e Federatës se hendbollit dhe selektori ndoshta do të ndryshojnë mendimin dhe do të më ftojnë në Përfaqësuesen e Kosovës, çka do të ishte nder për mua të kontribuoj për ngjyrat e shtetit tim të Kosovës”, ka porositur Gëzim Misimi.
Është mëkat i madh dhe befasi që një hendbollist i kalibrit çfarë është Gëzim Misimi të mos ftohet në Përfaqësuesen e Kosovës por drejtësia në fund shpresojmë se do të triumfojë.