Në Viti sot është mbajtur Takimi i rregullt i gjashti me radhë i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi /KKSB/, e rendi i punës i këtij Këshilli ishte mjaftë i ngjeshur ku u shqyrtuan dhe u miratuan disa Raporte pune dhe Draft plane pune. Fillimisht është shqyrtuar edhe Draft plani i punës për vitin 2020 i këtij këshilli. Prezantimin e këtij draft plani e bëri zyrtarja komunale për barazi gjinore njiherit anëtare e KKSB-së Ibadete Hyseni, e cila theksoi se janë paraparë 26 objektiva, ku parashihen aktivitetet e ndryshme që duhet realizohen për gjatë vitit 2020 nga KKSB-ja.
Ndonëse u dhanë edhe disa propozime për inkorporimin në këtë plan, ai megjithatë u miratua nga gjithë anëtarët e KKSB-së.
Ndërkaq, zv. kryetari i komunës, që është edhe kryesues i këtij Këshilli, Hasan Aliu, paraqiti raportin e punës së KKSB-së për periudhën janar-dhjetor 2019.
E pikë tjetër për të cilën u diskutua ishte edhe ajo e gjendjes së sigurisë në komunën e Vitisë, për gjatë vitit që po e lëmë pas, ku një raport me të detajuar të gjendjes së sigurisë e ka dhënë komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili. Duke iu referuar statistikave të rasteve të raportuara në stacionin e policisë në Viti, për gjatë periudhës janar-dhjetor 2019, kapiteni Halili tha se sfidë ka qenë trafiku e që fatkeqësisht kemi pasur këtë vit raste me fatalitet, më shumë se vitin e kaluar.
“Sa i përket rasteve të aksidenteve, sivjet kemi pasur më pak se sa vitin e kaluar, por me fatalitet kemi pasur më shumë. Gjithashtu edhe rastet e vjedhjeve kanë pësuar rënie drastike, ndërsa rastet e zbulueshmërisë, janë rrit për 6 %. Shqetësuese mbetet dukuria e dhunës në familje, që sivjet, kemi rritje të këtyre rasteve” tha Kapiteni Halili, duke potencuar se rastet e vjedhjeve ai tha se janë raportuar sivjet 116 raste të vjedhjeve, ndërkohë vitin e kaluar kishim 128 sosh që do të thotë se sivjet ka pasur një rënie të këtyre rasteve. E sa i përket shqiptimit të gjobave në trafik, Halili tha se sivjet janë shqiptuar më shumë se vitin e shkuar duke mos specifikuar numrin e tyre. Aziz Zuka