Solistja e re gjilnase Elonë Sadiku do të paraqitet në rolin e Mercedes në Operën “Carmen”, e cila do të jepet premierë në javën që vjen. Është ky edhe një sukses I madh I kësaj artisteje, e cila është bërë pjesë e pandashme e ngjarjeve të mëdha të muzikës klasike që po luhen në Kosovë.
Pas operës “Goca e Kaçanikut“ me temë kombëtare, Opera e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për të sjellë në kryeqytet veprën e madhe operistike “Carmen” të kompozitorit të njohur francez Zorzh Bize (George Bizet). Katër aktet e veprës “Carmen” të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall. Regjisor i operës do të jetë Ognian Draganoff, kurse dirigjent do të jetë Peter Valentovic.
Rolet e operës do të jenë Carmen- Vikena Kamenica, Don Jose- Carlos Cardoso, Micaëla- Zana Abazi Ramadani, Escamilo- Vitaly Bilyy, Frasquita- Urta Haziraj, Mercedes- Elona Sadiku, La Dancaire- Denik Prizreni, Le Remendado- Rizah Jahaj, Zuniga- Shaban Behramaj, Morales- Harris Bajraktari.
Opera “Carmen”, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën. Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës.
“Carmen” shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë. “Carmen” përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.
Interpretimi i kësaj vepre në Prishtinë realizohet me përkushtim të lartë artistik, nën organizimin e Operës së Kosovës.
Premiera: E martë, 22 korrik 2025
Rishfaqja: E enjte, 24 korrik 2025
Lokacioni: AMC HALL, Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë