Gjilan, 4 shtator 2021 – Komuna e Gjilanit ka hapur debatin publik lidhur me projektet e rigjenerimit urban, objektin e Administratës, selinë e KBI-së e skulpturat monumentale.
Kryetari Haziri e ka shpallur të hapur debatin, teksa ka inkurajuar të gjithë ekspertët e fushave që t’i japin sygjerimet, vërejtjet e propozimet përkitazi me këto projekte, nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrotjes së Mjedisit.
“Në kuadër të programit të zhvillimit të Komunës, ne po e presim këto ditë që ta marrim miratimin e plotë të Ministrisë së Ambientit për Planin Zhvillimor Komunal, pasi Drejtoria për Urbanizëm dhe profesionistë tanë janë angazhuar për një kohë të gjatë që të përmbyllet kjo detyrë ligjore, e cila i jep në dhjetë vitet e ardhshme zhvillim Gjilanit”, ka thënë Haziri.
“Në kuadër të kësaj, ne kemi përgatitur disa iniciativa të cilat kanë të bëjnë me rigjenerimin urban të zonës së parë të qytetit dhe Gjilani do të jetë si zonë urbane në fokus të zhvillimit. Tri vitet e ardhshme janë kritike për pamjen dhe zonës së parë urbane, në të cilën do të hyjë rigjenerimi urban, objekti i Administratës Komunale, objektet tjera shtetërore, institucione komunale, selia e Këshillit të Bashkësisë Islame, skulpturat monumentale etj.”, ka shtuar Haziri.
Haziri në këtë paraqitje tha se tashmë është rishpalluar konkursi për skulptura monumentale, ku edhe pritet konfirmimi i përzgjedhjes së pesë veprave të mëdha artistike me dedikim për bashkatdhetarët, mjekët, sportistët, punëtorë e Teatrit etj.
“Unë i inkurajoj artistët te Gjilanit, të cilët duke e njohur kulturën e zonës tonë, të marrin pjesë në këtë thirrje, për t’i dhënë zhvillim Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Në këtë ngjarje, shpjegimet e tyre lidhur me këto plane i ka dhënë Bekim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrotje të Mjedisit, Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Naim Aliu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame.
Të gjithë ekspertët e fushave ftohen që të gjitha sygjerimet, vërejtjet e propozimet t’i adresojnë në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.