Gjilan

Gjilani mban mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Hetem Arifit


18 mars 2019 –  Komuna e Gjilanit, përmes një mbledhje komemorative të organizuar nën përkujdesjen e Lutfi Hazirit, i ka dhënë lamtumirën e fundit veteranit të arsimit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Hetem Arifi.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, theksoi se përpos kontributit të jashtëzakonshëm në arsim, në edukimin e shumë brezave, Hetem Arifin do ta kujtojmë përgjithmonë edhe për kontributin e madh dhënë  fushës së kulturës, ku edhe ishte themelues i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”.

“Do ta kujtojmë, po ashtu, edhe si një letrar të shquar, veprimtar të dalluar, publicist, humanist dhe njeri që ka pajtuar shumë familje në pajtimin e madh të gjaqeve. Përveç tjerash, mësuesin Hetem do ta kujtojmë si njeri të mirë e model për të gjithë ne”, tha Kurteshi Emini.

Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politik ka folur Mehmetali Rexhepi, ndërkaq në emër të shkollës “Abaz Ajeti” ka evokuar kujtime zëvendësdrejtoresha Emine Kosumi, të cilët e vlerësuan lartë veprën e Arifit.

Grentrit Murseli, asamblist i Kuvendit Komunal i cili ka folur në emër të nxënësve, ka deklaruar se janë me fat që e kanë pasur rastin ta njohin një njeri me kaq shumë vlera njerëzore.

“Atdhedashurinë e dëshmoi në çeli, profesionalizmin në shkollë, shpirtin artistik në këtë sallë të teatrit, ndërsa humanizmin në Kryqin e Kuq. Ky njeri ishte i gjithanshëm, i dijshëm dhe shumë i guximshëm. Dikur e luftonte okupatorin e pas luftës të papunëtorin”, tha ai.

Ndërkohë, në emër të familjes ka folur Muharrem Arifi, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për nderimin institucional që ia bëri veteranit të arsimit, Hetem Arifi.

 

Hetem Arifi ka ndërruar jetë të shtunën pas një sëmundje të rëndë, ndërkaq varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e qytetit, në ora 15:00.

You Might Also Like