Mësimdhënësja e gjashtë gjeneratave dhe drejtoresha e deritanishme e SHFMU “Nazmi Hoxha”, znj. Dashurije Leka Shaqiri, është emëruar inspektore e arsimit, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e saj të pasur.
E njohur për profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj arsimit, znj. Leka Shaqiri nisi rrugëtimin e saj në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti”, ku për 23 vite edukoi e frymëzoi breza të tërë nxënësish.
Në 3 vitet e fundit, ajo mori drejtimin e SHFMU “Nazmi Hoxha” në Gjilan, një shkollë të cilën e transformoi në mënyrë rrënjësore, si në aspektin menaxherial, organizativ e infrastrukturor ashtu edhe atë pedagogjik.
Udhëheqja e saj e balancuar mes vizionit strategjik dhe kujdesit human për çdo pjesëtar të stafit dhe çdo nxënës, e bëri këtë institucion një model suksesi për gjithë Kosovën.
Avancimi i saj në pozitën e inspektores së arsimit nuk është vetëm një hap i natyrshëm në rrjedhën e një karriere të suksesshme, por edhe një mundësi e re për të kontribuar më gjerësisht në ngritjen e cilësisë së arsimit në trevat tona.
“Edhe tani si inspektore do të jem në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim në shkolla, e në veçanti të arritjes së sukseseve të nxënësve të cilët janë prioritet për mua”, shprehet znj. Leka Shaqiri. Përmes një konkursi të hapur, ku u vlerësua për përvojën, kompetencën dhe vizionin e saj për arsimin, Dashurije Leka Shaqiri arriti të fitojë pozitën e inspektores së arsimit, një dëshmi e përkushtimit të saj të gjatë ndaj dijes dhe zhvillimit arsimor. Ajo mbetet një shembull frymëzues për të gjithë ata që besojnë se cilësia në arsim ndërtohet me përkushtim dhe punë të ndershme. /kryelajmi.com/.