Gjilan

Gjilani nis pilot projektin e shujtave për nxënësit e Verbicës së Zhegocit, Kishnapoles dhe Shurdhanit

Gjilan, 8 shkurt 2019 –  Komuna e Gjilanit ka nisur sot zyrtarisht projektin e ndarjes së shujtave ditore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollat fillore në Verbicë të Zhegocit, Kishnapole dhe Shurdhan.

Ka qenë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, të cilët ua kanë shpërndar ushqimin nxënësve të shkollës në Verbicë të Zhegocit.

“Jemi ardhur fizikisht këtu për të nderuar personelin e shkollës, nxënësit dhe prindërit. Është njëra nga pikat më të larta që ka komuna jonë në Malësinë e Zhegocit. Përveç programit në shkollë, ne do ta funksionalizojmë në tërësi edhe ambullantën e fshatit, ndërtimin e rrugës që është jetike për këta banorë dhe projekte tjera. Kjo është njëra prej shkollave që e ruan ekzistencën e kësaj popullatës këtu dhe njëra prej shkollave që ka rezistuar në luftën e fundit, duke qenë shembull i mësimnxënies. Urime për fëmijët”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka paralajmëruar se do të ketë edhe pilotime në shkollat për shujtat ditore.

“Kjo është një nevojë, por po përmbushet edhe një premtim i kryetarit për shujtat për nxënës dhe sot është realizuar. Nuk ka qenë e lehtë për shkak të pozitës gjeografike e lartësisë territoriale. Kemi përzgjedhur një meny javore dhe jam shumë i lumtur që është realizuar ky program. Do të vazhdojmë edhe me pilotime të tjera. Urime nxënësve dhe Malësisë së Zgegocit”, është shprehur Gagica.

Ndërkaq, drejtori i shkollës fillore “Fetah Qerimi”, Ragip Nuhiu, ka falënderuar kryetarin Haziri që e mbajti premtimin për ofrimin e shujtave ditore për nxënësit.

You Might Also Like