Gjilani ka shënuar një fitore të vlefshme, ndër më të rëndësishmet në këtë kampionat, duke e mundur në fushë të vet, liderin e Superligës, Ferroniklin nga Drenasi. Fitorja është edhe më e vlefshme, pasi që është shënuar ndaj ekipit që deri më tashti nuk kishte asnjë humbje.
Gjilani mirë e ka nisur ndeshjen, duke rrezikuar që në minutën e gjashtë, kur pas një harkimi të Maganit, Salih Kosumi gjuajti me të parën. Në minutën e 15, portieri vendas shpëtoi gol të sigurt, pas gjuajtjes së Hotit, kurse edhe Hysa provoi gjuajtjen e tij në minutën 17, por topi për pak shkoi jashtë.
Pasi kanë kaluar gjysmë ore lojë sërish rast të mirë pati Hoti, i mysafirëve, por gjuajti plogësht, kurse edhe Carioca gjuajti mirë, por sërish Kaqiu ishte i vëmendshëm.
Edhe pjesa e dytë nisi me një rast të Salih Kosumit, por Lladrovci nga vija e portës e nxori topin. Ai është pasuar me një rast të Hotit, por topi për pak shkoi jashtë.
Vendimtare doli të jetë minuta e 66, kur pas një gabimi të Morinës, topin e vodhi Jefferson Lopes, i cili u sull drejt porteës dhe kur doli para portierit, me urti mbi trupin e tij e dërgoi në këndin e majtë.
Pas shënimit të golit, Gjilani e forcoi mbrojtjen dhe arriti të ruaj rezultatin, falë edhe dyshes gjigante në qendër të mbrojtjes dhe portierit Kaqiu, i cili ishte i mrekullueshëm.