OPINION

GJILANI ME RRETHINË NË KRYENGRITJEN E PËRGJITHSHME TË VITIT 1912

Kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve, të cilat nuk pushuan as gjatë vitit 1911, nxorën në pah çështjen shqiptare si problem ndërkombëtar dhe e detyruan qeverinë osmane të hynte në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin atyre disa lëshime, të cilat ishin larg kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Kryengritja e vitit 1911 ishte si një paraprijëse e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Prijës të Kryengritjes së Përgjithshme ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi e prijës të tjerë, të cilët kërkonin autonominë e Shqipërisë, tërheqjen e oficerëve të Perandorisë Osmane dhe zyrtarizimi e Gjuhës Shqipe në administratën shtetërore.

Para nisjes së Kryengritjes së Përgjithshme, në dhjetor 1911, deputetët shqiptarë në Parlamentin Osman, sidomos Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina sërish kërkuan zbatimin e reformave politike, ekonomike e kulturore në Shqipëri. Nëpërmjet këtyre reformave atdhetarët shqiptarë bënin presion te Porta e Lartë që ta njohin kombin shqiptar, sikurse edhe të drejtën e këtij kombi për të qeverisur në trojet e veta. Qeveria xhonturke sërish i hodhi poshtë këto kërkesa, ngase i druhej shkëputjes së Shqipërisë. Kërkesat e shqiptarëve, në Parlamentin Osman në Stamboll i shpalosi deputeti i Kosovës, Hasan Prishtina, i cili haptas deklaroi se do të vihej në ballë të kryengritësve, gjë e cila ngjalli reagimin e vezirit të madh, i cili këto deklarata i cilësoi të atilla që kanë për qëllim shkatërrimin e perandorisë.

Hasan Prishtina foli për mohimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe për terrorin e pashembullt të ushtruar mbi popullatën shqiptare. Ai e kërcënoi qeverinë me një kryengritje të re nëse nuk plotësoheshin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.[1]

Perandoria Osmane tentonte të përfitojë në kohë, andaj edhe vononte përgjigjet në kërkesat e shqiptarëve, të cilët tashmë ishin të bindur se e vetmja rrugë për arritjen e autonomisë ishte kryengritja e armatosur.[2] Përgatitjet për kryengritje të armatosur kanë nisur që nga viti 1911, ndërsa në mesin e muajit janar të vitit 1912, kur nën kryesinë e Ismail Qemalit, në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit u bë një mbledhje e në të morën pjesë, përveç Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e Syrja Vlorës, edhe Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë. Aty doli përfundimi se shqiptarëve, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme.

U mor qëndrim që organizimi i kryengritjes në Verilindje të Shqipërisë t’i besohet Hasan Prishtinës, në Shqipëri të Mesme një detyrë e tillë iu besua Esat Toptanit, kurse Myfit Libohova, Aziz Vrioni e Syrja Vlora u zotuan se do të organizonin kryengritjen në Shqipërinë e Jugut. Ismail Qemali mori përsipër sigurimin e mjeteve materiale dhe të armatimit në mërgim, por edhe punën në sigurimin e mbështetjes nga diplomacitë evropiane. Shumica e pjesëmarrësve në këtë mbledhje nuk i përmbushën obligimet që i morën. Vetëm Ismail Qemali e Hasan Prishtina u mbetën besnik detyrave, të tjerët shumë pak ose fare nuk i përmbushën zotimet.[3]

Pushteti xhonturk, i cili po përballej me vështirësi të shumta, qe i detyruar në organizimin e zgjedhjeve në tërë perandorinë dhe pas shpërndarjes së parlamentit në janar të vitit 1912, në pranverë u organizuan zgjedhje të reja. Ky proces zgjedhor kishte përfshirë edhe Kazanë e Gjilanit, në të cilën u zhvillua një fushatë e ashpër në mes partisë “Bashkim e Përparim” dhe kandidatëve opozitarë. Xhonturqit me çdo kusht tentonin të siguronin fitoren për vete e për këtë edhe në Kazanë e Gjilanit, komisioni zgjedhor kishte shpërndarë listat nëpër të gjitha fshatrat, të cilat ishin shkruar në gjuhën osmane dhe ato nuk kuptoheshin nga popullata.[4] Xhonturqit, duke mos zgjedhur mënyra për të fituar sa më shumë kandidatë për vete arritën që të fusin grindjen mes kandidatëve të opozitës e këtë e arritën edhe në Gjilan.[5] Shqiptarët ishin të interesuar që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të denjë dhe përballë presioneve të xhonturqve, në Kazanë e Gjilanit pati gjendje të tensionuar në Pogragjë, ku shqiptarët dëbuan komisionin zgjedhor, në Shipashnicë, ku pati gjendje të tensionuar dhe për këtë qëllim autoritetet osmane nga Ferizaj kishin dërguar për në kazanë e Gjilanit një tabor ushtrie dhe 50-60 ushtarë të kavalerisë.[6] Raste të tilla ishin shënuar edhe në Berivojcë e Lubishtë.[7]

Përmes përdorimit të dhunës, përmes kërcënimeve dhe shantazheve, korrupsionit, burgosjes së përkrahësve të opozitës e duke përdorur edhe forcën e armëve, partia “Bashkim e Përparim” arriti të sigurojë shumicën e ulëseve në parlamentin osman. Kjo bëri që kryengritja kundër administratës dhe pushtetit osman në viset shqiptare të ishte e pashmangshme.[8]

Ashtu siç ishin marrë vesh krerët shqiptarë, në Verilindje të Shqipërisë nisën përgatitjet për kryengritje të armatosur e në Kazanë e Gjilanit, në përmbushjen e obligimeve mbi Kryengritjen e Përgjithshme tejet aktiv ishte Idriz Seferi dhe krerë të tjerë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e Idriz Seferit, i cili i kishte thënë peshkopit të dioqezës Shkup – Prizren se popullata e Karadakut është e pakënaqur me regjimin xhonturk dhe se janë të pashmangshme kryengritjet kundër tyre e ai kishte deklaruar se vetë do të jetë i pari që do t’i kap armët për të luftuar kundër këtij regjimi.[9] Kur po bëheshin përgatitjet për Kryengritjen e Përgjithshme, në Gjilan kishin nisur të mbahen mbledhje të fshehta dhe vendosej që fillimisht kryengritja të bëhej nëpërmjet çetave të vogla.[10] Kjo më pas edhe ndodhi, ngase në Gjilan u formuan çetat e armatosura dhe u dha besa shqiptare për luftë kundër Perandorisë Osmane,[11] kështu qysh në pranverë në Gjilan, Lubishtë, Marec e fshatra të tjera u shënuan disa konflikte të armatosura në mes të shqiptarëve dhe autoriteteve lokale.[12]

Të parët në kryengritje u hodhën luftëtarët në Malësi të Gjakovës edhe atë në mes të muajit maj të vitit 1912. Vala e kryengritjes pas dy muajsh u përhap edhe në viset tjera shqiptare, gjë e cila shënonte nisjen e  Kryengritjes së Përgjithshme në të gjitha anët e vendit që nga Çamëria, Kolonja e Korçës deri në Malësinë e Madhe, në Podujevë e Gjilan.[13] Për të bashkërenduar forcat kryengritëse dhe për të hartuar një program kërkesash, realizimi i të cilit do t’i drejtohej Portës së Lartë, u ndje e nevojshme thirrja e një kuvendi ku do të mblidheshin krerë e drejtues të kryengritjes. Kështu nga data 21 deri më 25 maj në Junik u mbajt një Kuvend, në të cilin fjalën kryesore e kishin Hasan Prishtina, Riza Bej Gjakova, Jashar Pasha, Hasan Feri, Isa Boletini e atdhetarë të tjerë,[14] e aty u mblodhën 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës si dhe nga sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit, e ishin gjithashtu edhe përfaqësues nga krahinat e Jugut. Kuvendarët ishin të vendosur për vazhdimin e kryengritjes, ata lidhën besën dhe shpallën programin politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi dhe iu dorëzua qeverisë së Stambollit.[15]  Shqiptarët e Gjilanit dhe ata të Sanxhakut të Shkupit u deklaruan paraprakisht se do t’i pranojnë të gjitha vendimet që do të dilnin nga punimet e këtij kuvendi.[16] Gjithsesi se një rol me rëndësi luajtën edhe përfaqësuesit e Gjilanit e sidomos Idriz Seferi, por në bazë të dokumentacionit të hulumtuar dhe atij që e kemi shfrytëzuar nuk kemi arritur t’a vërtetojmë pjesëmarrjen e Idriz Seferit në Kuvendin e Junikut. Pas përfundimit të Kuvendit të Junikut, Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha i është dërguar një promemorie, ku kërkohej që Shqipërisë t’i njiheshin të drejtat e një province autonome.[17]

Duhet theksuar se Perandoria Osmane ishte shumë e shqetësuar nga kjo lëvizje politike e shqiptarëve dhe u mundua të marrë masa ushtarake me qëllim të pengimit të mbledhjes dhe shpërndarjes së krye-ngritësve, derisa qëndrim negativ e reaksionar ndaj vendimeve të Junikut pati edhe paria turkomane shqiptare.[18]

Në Kazanë e Gjilanit, Kryengritja e Përgjithshme kishte marrë hov në pjesën e parë të korrikut dhe aty po bëhej intensifikimi i përgatitjes së forcave kryengritëse për operacione më të mëdha. Në këtë kohë, në Kazanë e Gjilanit ka qëndruar edhe Isa Boletini, që bashkë me Idriz Seferin dhe udhëheqës të tjerë të kësaj ane, qëndruan disa ditë në Moravën e Epërme dhe në Karadak për të hartuar strategjinë e operacioneve në zonën prej Kaçanikut deri në Shkup.[19]

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913” të autorit Enver Sadiku.

 

 

[1] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 463.

[2] Puto, A., 1978. Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha 1912 – 1914, Tiranë: 8 Nëntori, f. 81.

[3] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 463; Abdyli, T. 1990. Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare 1908 – 1933. Prishtinë: Rilindja, f. 101.

[4] Selmani A. Gjilani…, f. 211.

[5] Cana, Z. 2008. Kryengritja Shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës. f. 144.

 

[6] AIH, Vj-22-16-1648, Raport i zëvendëskonsullit austro-hungarez në Mitrovicë dërguar MPJ në Vjenë, 8 prill 1912.

[7] Dokumente serbe…, f. 150.

[8] Cana Z. 1979. Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908-1912, Rilindja, Prishtinë,  f. 218.

[9] AIH, vj-22-11-1104. Telgram i konsullit austro-hungarez në Shkup dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë më 8 shkurt 1912.

[10] Dokumente serbe…, f. 148, 165.

[11] Brestovci, S., art. i përm., f. 13.

[12] Selmani, A., vep. e përm., 216 – 217.

[13] Puto, A., vep. e përm., f. 98.

[14] Abdyli, R., vep. e përm., f. 236 – 237.

[15] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 471

[16] Dokumente serbe…, f. 256

[17] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë dhe Instituti i Historisë. 1978. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1878 – 1912), përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, f. 240.

[18]Osi, M. 1977. Qëndrimi i parisë turkomane ndaj vendimeve të Junikut dhe të kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Në Jehona 7/1977 viti XV. Shkup: OBP “Nova Makedonija”, f. 879 – 882.

[19] Selmani, A., Gjilani..., f. 234.

You Might Also Like