Futboll

Gjilani sërish dëshpëron

SC Gjilani i ka punët keq sa i përket rezultateve. Ekipi bardh e kuq nuk di për fitore dhe me barazimin ndaj Arbërisë seriozisht është futur në luftën për ekzistence.

Më zhgënjyese se sa rezultati, tek ekipi i Gjilanit është loja dhe sidomos taktika që po përdoret në këtë ekip, ku të thuash nuk po funksionon asgjë.

Pa gjuajtje në portë dhe pa aksione të rrjedhshme, Gjilani gjatë tërë kohës po zhvillon një lojë shterpe, duke u bazuar në topa të gjatë, derisa nuk ka as ndërlidhshmëria të duhur në mes të reparteve.

Bile, edhe goli i shënuar ndaj Arbërisë nuk është shënuar nga ndonjë lojtar i Gjilanit, por falë autogolit të Agron Bruqit, i cili duke dashur të dëbojë topin në minutën e 61 e futi atë në portë të vet.

Gjilani nuk u lirua në lojë as pasi ka shënuar, hiq disa gjuajtje që fare nuk ishin të rrezikshme, kurse në momentin me kritik ka pranuar gol.

Në minutën 84, pas një aksioni të zgjatur lojtarët e Gjilanit u ndalën, duke mëtuar se ishte pozitë jashtë loje e brazilianit Cezar, i cili nga afërsia e futi topin në rrjetë. Me gjithë protestat e ekipit vendas goli nuk u anulua.

Deri në fund të ndeshjes Gjilani nuk kishte më mundësi të shënojë, ngase tashmë në lojë ishin futur lojtarë që nuk kanë shënuar asnjë lojë në këtë kampionat e të cilët është e vështirë që të paramendohet se do të mund të shënonin në pesë minutat e fundit të ndeshjes.

Në fund Gjilani – Arbëria 1:1.

You Might Also Like