Dukagjini dy herë i është afruar portës dhe dy herë ka shënuar, derisa Gjilani i është kthyer lojës së ngadalshme me pasime të panevojshme në vijën e mbrojtjes, pa asnjë shpërthim individual, pa lojë të ndërtuar mirë dhe si gjithherë tejet i dobët me ekipet e ashtuquajtura “të vogla”, të cilët gjithherë i marrin pikë të plota.
Gjilani dhe Dukagjini i Klinës janë përballë në ndeshjen hapëse të xhiros së njëmbëdhjetë në Superligën e Kosovës në Futboll. Gjilani hyri në ndeshje pas një serie të mirë nën drejtimin e Debatik Currit, derisa Dukagjini i Ismet Munishit në këtë ndeshje u fut pas disa rezultateve jo të mira në xhirot e fundit.
Që në minutën katër pas një gjuajtje nga një pozitë standarde, Artin Merlaku dha një gjuajtje dënimi për mrekulli, nga e cila së pari topi u përplas për shtylle dhe u fut në rrjetë. Ishte evidente se në këtë rast as muri e as portieri nuk ishin të vendosur mirë, ngase mbeti e pa mbuluar ana e majtë e portës.
Në minutat 11 dhe 13, Gjilani ka rrezikuar nëpërmjet Prapashticës dhe Jaroviqit, por në të dy rastet më i suksesshëm doli portieri i Dukagjinit Margono.
Në vazhdim të ndeshjes Gjilani shtoi trysninë drejt portës së Dukagjinit, por të gjitha sulmet ishin shterpe, andaj pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Dukagjinit 0:1.
Pjesa e dytë nisi me disa zëvendësime të Gjilani, ngase kryetrajneri Debatik Curri nuk ishte i kënaqur me rezultatin e pjesës së parë dhe me lojën në mesfushë.
Në minutën 54, pas harkimit të Prapashticës nga e majta, Senad Jaroviq gjuajti me kokë, por topi shkoi jashtë pingules së djathtë.
Mundësia më e mirë për Gjilanin ishte në minutën 73, kur Basha ka shërbyer Zebiqin, por ky gjuajti jashtë pingules se majtë.
Për të qenë edhe më keq për Gjilanin, në minutën 84 pëson edhe golin e dytë, pas një mbrojtje tejet të ngathtë të Gjilanit, kur Khalid u përvodh dhe pa kurrfarë shqetësimi e futi topin në rrjetë për 0:2./kryelajmi.com/.






