Komuna e Gjilanit së bashku me nxënës dhe me qytetarët e saj, në bashkëpunim me organizatën “Green Art Center”, me aktivitete të ndryshme edhe simbolikisht sot kanë shënuar 22 prillin, Ditën e Tokës, me moton që çdo ditë kalendarike në Gjilan është Ditë e Tokës.
Në fjalën e tij pas mbjelljes simbolike të drunjëve dekorativ në shkollën “Zija Shemsiu”, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se Gjilani çdo ditë punon në zgjerim të hapësirave të gjelbra dhe në ruajtjen e ambientit.
“Moto “Çdo ditë është Dita e Tokës”, është një mesazh i punës së madhe që bëhet në qeverisjen e udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri, ku për këtë periudhë, ne kemi investuar në hapësira publike, e konkretisht gjelbruese, sepse nevojë e parë e të gjithë neve është oksigjeni dhe ajri i pastër. Prandaj, duke u nisur nga kjo kemi investuar me prioritet në gjelbrim dhe hapësira gjelbruese, sikur që një kujdes të veçantë jemi duke i dhënë edhe pastërtisë dhe investimit në pikat kyçe, pastaj pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Gjithashtu, Kadriu ka bërë hapjen e ekspozitës së tekstilit të veshjeve në sheshin “Agim Ramadani” e punuar nga nxënësit e shkollave në bashkëpunim me Akademinë “Evolution”, të cilët i ka përgëzuar për punën e bërë dhe për idenë kreative të përdorur pikërisht në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë.
Ndryshe, në këtë aktivitet, janë dhënë informata për fëmijët dhe nxënësit për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe shëndetin njëkohësisht, si dhe janë mbjellur drunjë dekorativ.