Futboll

Gjilani nuk qëndroi deri në fund

Gjilani në ballafaqim me Prishtinën nuk ka mundur të qëndrojë deri në fund, ngase tre minuta para se të përfundojë ndeshja ka pësuar gol, që ishte i mjaftueshëm për ekipin vendas KF Prishtina për të arkëtuar tri pikë që e mbajnë në garë për pozitën e parë.

Gjilani ka patur disa raste të volitshme, bile ka mundur ta fitojë krejt ndeshjen, por nuk ia doli që të shënojë së paku një herë.

Kështu në minutën 16 Zgjim Mustafa lëshoi një mundësi të mirë pas asistimit të Armend Thaçit. Në minutën 42 Gjilani ishte afër golit me Betim Haxhimusën, por Alban Muçiqi priti8 gjuajtjen e sulmuesit gjilanas. Në pjesën e parë Prishtina rastin më të mirë e pati nëpërmjet Khalid në minutën 11, por topi shkoi mbi portë.

Gjilani pati mundësi të mira edhe në pjesën e dytë. Në minutën 58 Haxhimusa tentoi me një gjuajtje të fortë nga distanca, por Muçiqi ishte në vend. Një minutë më vonë futbollistët e Gjilanit kërkuan penallti pasi  Rusi u rrëzua në zonë, por gjyqtari nuk ishte i këtij mendimi. Pak më vonë, Rusi i shmanget mjaft mirë Dallakut, gjuan, por Prishtina shpëtohet nga portieri Muçiqi që dërgon topin në korne.

Prishtina pati rast të mirë në minutën 69, kur Arbër Hoxha i Prishtinës ka tentuar golin, mirëpo porteri Kaçiu me intervenim fantastik e dërgon atë në pingule dhe shpëton Gjilanin.

Momenti vendimtar i ndeshjes ishte minuta 87, kur Khalid realizoi me kokë pas krosimit të Shend Kelmendit.

You Might Also Like