Në 29- vjetorin e vdekjes së prof. dr. Xhavit Ahmeti një delegacion i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” i prirë nga drejtori i shkollës Bekim Mustafa, i cili shoqërohej nga Agim Asllani, zëvendësdrejtor, Sami Selishta, koordinator i cilësisë dhe nxënës të shkollës kanë vënë buqeta lulesh pranë bustit të Xhavit Ahmeti, në sheshin që mbanë emrin e këtij njeriu të madh të dijes e të shkencës.
Para 29- vitesh, Xhavit Ahmeti, që ishte këshilltar për arsim i presidentit Ibrahim Rugova, bashkë me pjestarë të delegacionit kosovar, me ndërmjetësim ndërkombëtar, po udhëtonin në mbrojtje të arsimit shqip dhe në rrugë e sipër kishte ndodhur një aksident trafiku, në të cilin kishte ndërruar jetë dr. Xhavit Ahmeti, emrin e të cilit me krenari e bartë Gjimnazi Natyror i Gjilanit.
Në përkujtim të kësaj dite, Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se sot është përvjetori i ndarjes fizike me profesor Xhavit Ahmetin; me njeriun e dijetarin, personalitetin shkencor e politik, që angazhimin e tij jetësor dhe fundin fizik e lidhi përjetësisht me arsimin shqip dhe atdheun e tij – lirinë e Kosovës.
“Profesor Xhavit Ahmeti u nda nga ne në kulmin e angazhimit humanist, pedagogjik e politik, ku u dëshmua si personalitet me dije, vizion e angazhim të pa kompromis për dijen, zhvillimin e lirinë, duke lënë boshllëk të pakompenzueshëm në të gjitha këto fusha”, ka thënë drejtori Mustafa, që ka shtuar se megjithëkëtë, mbi këtë rrugë të shtruar prej tij ne u ringritëm e realizuam, si popull, një pjesë të vlefshme të synimeve e ëndrrave të tij. “Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, po rritet nën hijen e emrit e angazhimit të tij dhe me krenari e besim mban emrin e këtij iluministi e personaliteti të dalluar të atdheut tonë. Sot, në këtë përvjetor të ndarjes, ne kujtojmë e nderojmë profesor Xhavit Ahmetin, jetën e angazhimin e tij, duke bërë bilancet e rritës e sfidave tona të përbashkëta. Krenar që e patëm e krenar që emri e veprimtaria e tij na prin drejt sukseseve, edhe në këtë përvjetor ne shohim rrugën përpara – atë rrugë që ai e shtroi; atë rrugë në të cilën do të donte të na shihte duke ecur të sigurtë e të palëkundshëm! I përjetshëm kujtimi për profesorin, shkencëtarin e pedagogun; iluministin e politikanin – i përjetshëm kujtimi e nderimi për profesor Xhavit Ahmetin! E lavdishme jeta dhe angazhimi i tij atdhetar – iluminist! Përkulje e nderim!”, ka thënë Bekim Mustafa, drejtori i Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.
Në këtë ditë të shënuar është organizuar edhe një Akedemi Përkujtimore për prof. dr. Xhavit Ahmetin, të cilën mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:
https://www.facebook.com/kryelajmi/videos/1820718481953202





