ARSIMI

Gjithçka nisi nga një temë mësimore dhe u zgjerua përtej klasës

Shkruan: Nxënësja Laidë Ismaili, kl. X/1

Në një kohë kur ritmi i jetës ndryshon me shpejtësi dhe bota hap dyert për risi e përparim të pandërprerë, ruajtja e traditave, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar përbën jo vetëm një obligim qytetar e kulturor, por edhe një nderim për vetëveten dhe vlerat që përfaqësojmë.
Me rastin e festës së 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, shkolla jonë ka frymuar kuq e zi dhe ka zgjedhur të rikthehet te rrënjët tona – aty ku qëndron forca, identiteti, krenaria kolektive dhe gjithçka që ne i përkasim e e ruajmë me integritet dhe përkushtim të qëndrueshëm.

Nën moton “Festojmë me traditat tona”, nxënësit e klasave të X-ta, përkatësisht X/1, 2, 3, 4, 5, 6, ne kuadër të lëndës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, kanë realizuar projektet e tyre, të cilat përfshinë një spektër të gjerë prezantimesh: parakalime solemne me veshje tradicionale, që reflektuan finesën, elegancën dhe identitetin estetik të trashëgimisë sonë; revista kulturore të hartuara me mendim të thelluar, ku u ndërthurën analiza, kreativiteti dhe shkrimi artistik; videoprojekte (dokumentarë, film i shkurtër, intervista) të konceptuara me profesionalizëm, të cilat sollën në pah elementet më përfaqësuese të kulturës, ritmit dhe shpirtit kombëtar; broshura për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore.7

Maketi i Shtëpisë së Pavarësisë dhe ai i Kalasë së Krujës u shndërruan në vepra të mirëfillta artistike dhe historike, të realizuara me përkushtim, saktësi dhe pasion. Shtëpia e Pavarësisë u prezantua si djepi i shtetit shqiptar, që mbart frymën e aktit historik të 28 Nëntorit 1912, ndërsa Kalaja e Krujës u shfaq si fortesa e krenarisë sonë historike, ku qëndresa e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut u bë simbol i stoicizmit e guximit ndër shekuj.

Në vazhdën e projekteve krijuese, nxënësit realizuan edhe webfaqe tematike, ku tradita kombëtare u ndërthur me inovacionin teknologjik. Përmes kësaj platforme digjitale mund të eksploroni veshjet tradicionale dhe krahinat shqiptare ku shtrihen ato, duke dëftuar kështu se ruajtja e trashëgimisë kombëtare ecën krah për krah me zhvillimin dhe inovacionin teknologjik.

Vlera e mikpritjes më së miri u dëshmua me shtrirjen e sofrave plot me ushqime, të cilat përveçse përfaqësojnë pasurinë tonë kulinare, mishërojnë dhe artin e kultivuar ndër breza – artin e mikpritjes, nderit dhe kohezionit shoqëror.

Krahas këtyre, gjithë procesi i realizimit të projekteve u karakterizua nga një nivel i lartë serioziteti akademik, bashkëpunimi konstruktiv dhe koherence kulturore, falë vizionit pedagogjik, udhëheqjes intelektuale dhe integritetit profesional të profesoreshës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, prof. Shqipe Sijarina Jakupi, e cila me kompetencë dhe kulturë të lartë arsimore e orientoi eventin drejt një standardi të admirueshëm.

Në këtë atmosferë pozitive dhe festive, është ripohuar një e vërtetë themelore: identiteti ynë është kapitali ynë kulturor, dhe sa herë ne i japim jetë traditave, ne nderojmë dhe vlerësojmë ata që ecën para nesh – që u shuan si qiriu, në mënyrë që drita jonë të shndriste në këtë ditë me peshë simbolike dhe kombëtare.

Për Shqiptarinë stoike e fisnike që duam – Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë!

You Might Also Like