Gramos Klaiqi, i njohur ndryshe si “Njeriu i hekurt”, do të zhvillojë debutimin e tij në boksin profesionist në një spektakël të madh që do të mbahet në Berlin të Gjermanisë. Në këtë përballje emocionuese, 25-vjeçari nga Gjilani do të përballet me boksierin nga Polonia, Lukasz Szczeoaniak, në një meç me katër raunde në kategorinë 72 kilogramë.
Kundërshtari i tij, Szczeoaniak, ka zhvilluar deri më tani tri ndeshje profesionale dhe ka dalë fitues në të gjitha, duke dëshmuar se është një kundërshtar serioz për debutuesin nga Kosova.
Klaiqi është një sportist i njohur në fushën e arteve marciale mikse (MMA), si dhe trajner i klubit të vetëm të këtij sporti në Gjilan, “Klubi Commando MMA”. Ai ka nisur hapat e parë në sportin e luftës në Londër dhe Cardiff të Uellsit, por ka zgjedhur të kthehet në vendlindje për të kontribuar në ngritjen e sportit në Kosovë.
Për ndeshjen e tij debutuese në boks, Klaiqi shprehet i përgatitur dhe i motivuar:
“Edhe pse është meçi im i parë, nuk kam aspak frikë. Përkundrazi, mezi po e pres debutimin tim në ring. Kundërshtari nga Polonia është mjaft i fortë, por gjatë katër raundeve do t’i tregoj se kush është më i fortë,” thekson ai.

Klaiqi ndjehet krenar që do të përfaqësojë Kosovën në këtë garë ndërkombëtare:
“Do të jap maksimumin për të dalë fitues dhe për ta bërë krenar klubin tim, veten dhe shtetin e Kosovës. Dua ta valvis flamurin tonë në Berlin,” shprehet ai me emocion.
I lidhur ngushtë me familjen e tij dhe me klubin që drejton, Klaiqi ka edhe një premtim të veçantë për ta:
“Ju jeni inspirimi më i madh në karrierën time. Do t’ju bëj krenar. Po ashtu, do të tregoj se me disiplinë, sakrificë dhe punë profesionale, rezultatet nuk mungojnë. Ëndrrat drejt suksesit evropian dhe botëror realizohen vetëm në këtë mënyrë.”
Debutimin e Gramos Klaiqit në boksin profesionist e ka mundësuar kompania Fides Sport, nën organizimin e promoterit Burim Sylejmani. Spektakli i 21 qershorit pritet të jetë një hap i madh për Klaiqin në rrugëtimin e tij të ri në sportin e boksit, duke sjellë emocione të mëdha për adhuruesit e sporteve luftarake nga Kosova dhe më gjerë.