Gjilan

Gratë kanë dhënë kontributin e tyre në të gjitha proceset e vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova

Gjilan, 6 mars 2020 / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë solemne për nder të 8 Marsit. Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se në kuadër të Javës për të drejtat e grave, të shpallur nga qeveria e Kosovës, është bërë thirrje për mbajtjen e kuvendeve solemne nëpër komuna, për të promovuar të drejtat e grave në institucione dhe në shoqëri, në përgjithësi.

8 Marsi, pa dyshim shënon një nga ditët më të veçanta në historinë e luftës për të drejtat e njeriut, posaçërisht për të drejtat e grave kudo në botë.

“Edhe në Kosovë, në të gjitha periudhat kohore, kjo luftë ka qenë e pa ndalur, ku ferma është treguar aktive në luftën për çlirim dhe të drejtën e popullit për të jetuar në liri, në proceset tjera të vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova, sikurse një kontribut të pazëvendësueshëm gratë kanë dhënë edhe në ndërtimin e shtetit”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Për më tepër, ajo u shpreh e bindur se gratë, duke mbështetur njëra-tjetrën, do të arrijnë të ndërtojnë një të ardhme të sigurt, duke krijuar barazi në shoqëri dhe barazi në institucione.

Ndërkaq, Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore, ka nënvizuar përpjekjet e vazhdueshme të grave ndër vite e dekada, për realizimin e të drejtave dhe arritjen e barazisë gjinore.

Ajo ka thënë se 8 Marsi shërben si një kujtesë që duhet të flasim për të drejtat e grave dhe vajzave çdo ditë të vitit, është një ditë për të festuar arritjet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave dhe për të denoncuar çdo formë diskriminimi, dhune dhe ngacmimi ndaj tyre.

“Nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë, por duhet të luftojmë dhe besojmë se pavarësisht pengesave e sfidave që na dalin rrugës, ne do të arrijmë barazinë faktike me burrat, sepse këtë të drejtë e kemi të garantuar me ligje dhe kushtetutë”, ka thënë Salihu.

Mesazhe për këtë ditë, kanë përcjellë edhe Teuta Syliqi, kryetare e Grupit të Grave, anëtarët e Kuvendit Komunal, Arijeta Rexhepi, Arta Haziri, Fitim Guda, Shemsedin Elezi, Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës si dhe Drita Klaiqi, aktiviste e të drejtave të grave.

Porosia e tyre e përbashkët ka qenë se barazia gjinore, është parim vlerash që duhet respektuar në çdo shoqëri njerëzore.

You Might Also Like