Haxhi Ramadan Muji nga fshati Bresalc i komunës së Gjilanit është një emër që lidhet ngushtë me humanizmin dhe dashurinë për vendlindjen. Ai është njeriu që kurrë nuk ia ktheu shpinën Kosovës, por mbeti besnik ndaj saj, duke kontribuar aty ku kërkohej nevoja, qoftë me mund, qoftë me pasuri materiale.
68-vjeçari Haxhi Ramadan Muji, i detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, në moshën 22-vjeçare u largua nga Kosova dhe emigroi në Zvicër në vitin 1979. Ai kujton me nostalgji këtë ndarje të dhimbshme:
“Ishin kohëra të vështira, nuk kishte punë askund, e sidomos shqiptarët ishin të diskriminuar për një vend pune. Me shumë dhimbje u detyrova të largohem nga vendlindja, nga toka e stërgjyshërve, babaxhanëve dhe prindërve të mi. Zemra mu nda më dysh, por nuk kisha zgjedhje tjetër. Në lulen e rinisë, posa kisha mbushur 22 pranvera, u ndava nga familja, shoqëria dhe vendi im,” rrëfen Muji.
Në vitin 1981, ai u përball me një moment historik – demonstratat e shqiptarëve në Kosovë e gjetën atë në Zvicër, ku sapo kishte filluar të adaptohej në shtetin helvetik. Megjithatë, ai nuk qëndroi indiferent ndaj kauzës shqiptare:
“Ishin demonstrata madhështore. Çdo ditë organizonim tubime mbështetëse nga një qytet në tjetrin. Edhe populli zviceran filloi të kishte simpati për kauzën tonë. Megjithatë, nëpër rrugët e Zvicrës vlonte aktiviteti i UDB-së së ish-Jugosllavisë, por ne nuk u ndalëm kurrë në kërkimin e të drejtave për popullin shqiptar të Kosovës,” kujton ai.
Haxhi Ramadan Muji nuk u ndal për asnjë moment për të përkrahur kauzën historike të popullit shqiptar. Për katër dekada ai dha kontributin e tij financiar dhe moral për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare.
“Edhe pse punonim vazhdimisht, një pjesë të madhe të jetës sonë e kaluam në ‘punë ilegale’ për të mirën e popullit shqiptar. Sa herë që vendlindja thërriste, ne u përgjigjëm pa hezitim. Ndihmuam fushatat për 2%-shin dhe 3%-shin, si dhe financuam blerjen e armëve për UÇK-në. Gjithsej kam kontribuar rreth 90 mijë euro për çështjen kombëtare dhe çdo cent e kam dhënë me zemër të pastër,” thekson Haxhiu.
Pasi doli në pension, ai nuk e harroi vendlindjen, përkundrazi, e forcoi edhe më shumë lidhjen me të, duke kontribuar për përmirësimin e jetës së bashkëfshatarëve të tij.
“Gjatë viteve të 90-ta, kur papunësia ishte e madhe dhe Serbia kishte vendosur masa të dhunshme mbi institucionet e Kosovës, shumë familje mbetën pa bukë. Unë u gjenda aty ku kishte nevojë, duke ndihmuar familjet në skamje dhe duke u munduar t’ua zbus sadopak vështirësitë,” rrëfen ai.
Ndër kontribuimet e tij kryesore në fshat përfshihen:
Ndërtimi i mbi 500 metrave kanalizim,
Mbjellja e drunjve dekorativë,
Vendosja e shportave të mbeturinave,
Ndihma për shkollën dhe xhaminë e fshatit,
Rregullimi i varrezave të fshatit,
Sigurimi i flamujve për çdo festë shtetërore,
Shpërndarja e pakove ushqimore e shume organizime tjera gjatë pandemisë COVID-19
“Nuk do të ndalem kurrë! Për sa kohë që jam gjallë, do të kontribuoj për të mirën e popullit. Kam hapur shtatë puse uji në fshat, të cilat, përveç se shuajnë etjen e njeriut, janë edhe një bukuri natyrore. Është kënaqësi e madhe të shohësh ujin që rrjedh dhe që u shërben njerëzve dhe kafshëve,” thotë Muji me krenari.
Në çdo hap të tij, ai ka pasur përkrahjen e bashkëshortes së tij, Haxhikes, e cila është krahu i djathtë në çdo vendim që ai merr.
“Bashkëshortja ime ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe. Në çdo iniciativë që kam ndërmarrë, ajo ka qenë aty për të më ndihmuar dhe për të dhënë kontributin e saj,” thekson ai.
Traditën e humanizmit dhe punës e kanë trashëguar edhe fëmijët e tij. Djemtë e tij, Berati, Burimi dhe Hasani, janë afaristë të suksesshëm në Zvicër, ku menaxhojnë Auto Sallonin “MUJI”. Ndërsa vajza e tij, Arbenita, kontribuon me përkushtim në familjen e saj në Gjermani.
Haxhi Ramadan Muji është një model i përkushtimit dhe sakrificës për vendlindjen. Çdo vit, në muajin e shenjtë të Ramazanit, ai organizon iftare për rreth 150 persona, duke e konsideruar këtë si një kënaqësi shpirtërore dhe humane.
“Është emocion i veçantë të mbledhësh 150 persona për iftar. Është një ndjenjë e veçantë falënderimi ndaj Zotit për të mirat që na ka dhuruar,” thotë ai.
Mbi të gjitha, ai është një njeri i thjeshtë, i përulur dhe i gatshëm për të ndihmuar këdo. Fshati Bresalc dhe e gjithë komuna e Gjilanit duhet të jenë krenarë për një njeri të tillë, i cili tërë jetën ia kushtoi vendlindjes dhe popullit të tij.