Gjilan

Haziri: Befasia e 2 korrikut është institucionalizimi i festivalit kombëtar Flaka e Janarit

Gjilan, 2 korrik 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila ka konfirmuar  mbështetjes për festivalin kulturor “Flaka e Janarit”, investimet në Stadiumin e Qytetit dhe përfundimin e fazës së parë këtë vit, renovim të Palestrës së Sporteve, dy fushat të tenisit këtë vit dhe dy në vitin e ardhshëm, sikurse edhe projekte në rini dhe trashigimi kulturore.

Ndërkohe, sot në Gjilan ka nisur edhe projekti tjetër i Stadiumit Ndihmës, gurthemelin e të cilit e kanë vënë kryetari Haziri dhe ministrja Dumoshi, i cili do të shfrytëzohet për stërvitje dhe lojëra për grupmosha të reja, duke krijuar kështu hapësirë për talentët e rinjë në standarte modern.

Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar ministren për përcaktimin e mbështetjes së Gjilanit në kulturë, sport dhe rini, duke potencuar se këto prioritete dhe ky investim po vjen në kohën kur Gjilani është në proces të ndërtimit të infrastrukturës publike dhe zhvillimit të sektorit privat të ndërtimit.

“Befasia e 2 korrikut është institucionalizimi i Flakës së Janarit dhe kështu po merr karakter të fuqishëm kombëtar dhe përkujdesje të nivelit qendror të qeverisë. Kemi vizituar Stadiumin e Qytetit i cili është i nivelit të katërt për zhvillim të lojërave ndërkombëtare në bazë të kritereve të UEFA dhe kemi vënë gurthemelin e stadiumit ndihmës i cili do të shërbej për stërvitje dhe gara për grupmoshat e reja. Gjilan, si qytet i kulturës, dëshmon se është edhe qytet i sportit dhe i rinisë me investimet që do të bëhen. Së bashku tashmë e kemi zgjidhur problemin e statusit të Teatrit të Qytetit dhe pagat e aktorëve. Është fat i madh për Gjilanin klubet sportive, tifozërinë dhe talentët që kemi një mbështetje të konfirmuar nga ministrja Dumoshi”, ka thënë ndër të tjerash, kryetari Haziri.

Në fjalën e saj, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se vizita në një Komunë të madhe që jep shumë gjenerata të reja, energji, talentë të veçantë në kulturë, rini dhe sport është një tërheqje edhe për investime dhe mbështetje në të gjithë sektorët.

“Memorandumi për mbështetjen e organizimit të “Flakës së Janarit” është një mbështetje në shenjë falënderimi për vlerat kulturore e kombëtare që kanë dalë nga ky manifestim ndër vite. Gjilani krenohet me artistët, sportistët, letrarët, rininë dhe talentë të shumtë edhe në sportet individuale. Ekipet sportive Gjilani dhe Drita janë krenari e juaja dhe e të gjithë neve për derbin që e ofrojnë për publikun, prandaj këto investime janë për sportistët, artistët, letrarët dhe rininë në përgjithësi, që ky shembull të ndjeket edhe nga të tjerët dhe të zhvillohet edhe më shumë”, tha Dumoshi gjatë vizitës në Gjilan.

Përndryshe, Vlora Dumoshi ka konfirmuar mbështetje konkrete me 20 mijë euro për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, pastaj Stadiumin e Qytetit që kap vlerën totale të investimeve 9 milionë euro, investimet tjera në bashkëpunim me Komunën dhe Ministrinë janë Palestra në Zhegërnë vlerë mbi 2 milionë euro, dy fusha të tenisit që do të ndërtohen këtë vit në vlerë prej 70 mijë euro, investimi në renovim të Palestrës së Sporteve “Bashkim Selishta” 400 mijë euro dhe stasiumi ndihmës në vlerë prej 550 mijë euro.​

You Might Also Like