ARSIMI

Haziri e Bytyçi urojnë suksese nxënësve që janë në testin e matures

Gjilan, 28 maj 2018 – Në Komunën e Gjilanit, sikur edhe në gjithë Kosovësn sot është organizuar testi i maturës, të cilin e kanë përcjellur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi për të parë nga afër përgatitjet e bëra dhe për tu dhënë kurajo nxënësve që janë në testim.

Pas vizitës në disa qendra testuese kryetari Haziri, ka uruar suksese për të gjithë nxënësit, duke potencuar që së bashku me ministrin do të angazhohen që vazhdimisht të ketë kushte më të mira për garantimin e sukseseve nga nxënësit.

“Kemi vizituar sot së bashku me ministrin nxënësit nëpër disa klasa dhe nga ajo që jemi informuar nga monitroruesit por edhe koordinatorët nuk ka asnjë parregullësi dhe presim që nxënësit e Gjilanit dhe gjithë Kosovës të jenë me rezultate gjithnjë më të larta krahasuar me vitin paraprak. Poashtu me ministrin Bytyqi do të kemi bashkëpunim të vazhdueshëm në kuadër të punës për ngritje në cilësisë në arsimin e Kosovës që është detyrë e të gjithëve bashkërisht”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Edhe ministri Bytyçi e ka përshëndetur organizimin mjaftë të mirë që është bërë në mbarvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm për nxënësit e shkollave të mesme dhe rrugëtimin e tyre drejtë studimeve dhe shkencës gjatë të ardhmes.

“Është kënaqësi kur shohim nxënësit që krahas stresit kanë edhe entuziazmin e madh për të vazhduar tutje me studime e me arritje në shkencë. Ministria e Arsimit përkundër ndryshimeve që janë shkaktuar në testin e maturës, ka bërë të gjitha pëgatitjet që ky proces i vlerësimit të jetë në formën më të mirë të përgatitur”, potencoi ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyçi.

Kurse drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka thënë se si drejtori, kanë bërë të gjitha përgatitjet që gjithçka të jetë konform rregullave.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka qenë në rregull dhe nuk ka asnjë problem të paraqitur, sepse ka menaxhim dhe monitorim jashtzakonisht të mirë që bënë edhe procesin më të lehtë.

You Might Also Like