Gjilan

Haziri: Faleminderit profesionistëve shëndetësorë të cilët shpëtuan mijëra jetë të qytetarëve

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e fundvitit, ka falënderuar profesionistët shëndetësorë, të cilit tha se shpëtuan mijëra jetë.

“2020-ta ka qenë vit i jashtëzakonshëm që dha efektet pandemia. I kemi humbur 96 qytetarë, por të janë shpëtuar mijëra jetë. Në këtë ditë, dëshiroj t’i falënderoj profesionistët shëndetësorë për guximin profesional dhe përkushtimin në parandalimin e përhapjes së virusit, të cilët kanë shpëtuar mijëra jetë. Mirënjohës përjetë”, ka thënë Haziri, në konferencën për media, të fundit për vitin 2020.

Haziri tha se menaxhimi i mirë i pandemisë, e ka nxjerrë Gjilanin nga zona e kuqe në zonën e verdhë, për të shtuar se po punohet që të kalohet në zonën e gjelbër.

“Lajmi më i fundit është që e kemi përmbyllur me sukses gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor, në kushte pandemie, ku shkollat tona kanë qenë shembulli më i mirë i parandalimit të përhapjes së COVID-19. Po ashtu, jemi duke punuar në 12 objekte shkollore në renovim, në kuadër të programit të efiçiencës së energjisë, derisa më 7 dhjetor kemi filluar me ndërtimin e çerdhes së re në lagjen Arbëria”, tha Haziri.

Ai ka thënë se përkundër vështirësive që ka sjellë pandemia, Komuna e Gjilanit ka realizuar të gjitha objektiva dhe projektet e parapara për vitin 2020.

“Në infrastrukturë kemi punuar mbi parimin e barazisë, qytet-fshat. Lajmi i mirë është që të gjitha fshatrat i kemi bërë me rrjet të ujësjellësit, perpos Vrapçiqit i cili mbetet fshati i fundit që është në proces”, tha Haziri.

Ai ka thënë se 2020-ta ishte viti më i rëndë sa i përket realizimit të të hyrave nga tatimet.

“Buxheti deri sot është shpenzuar 98 për qind, derisa të hyrat në këtë vit janë realizuar 63 për qind. Ka qenë viti më i rëndë dhe me i keq që e kemi kaluar dhe mezi po presim ta kalojmë këtë pandemi”, tha Haziri.

Në bujqësi, tha Haziri, është realizuar qind për qind programi për subvencionimit të fermerëve në mbjelljet vjeshtore.

Kreu i Gjilanit theksoi si ndjehet mirë që sivjet i Komuna i ka ndarë 200 bursa për studentët, në kuadër të programit për mbështetjen ndaj rinisë.

Ai konfirmoi se tashmë kanë përfunduar punimet në ndërtimin e objektit të ri të QKMF’së përballe Spitalit Regjional, i cili pritet të funksionalizohet shumë shpejtë.

Në këtë konferencë, Haziri pohoi se kjo komunë është përfituesja më e madhe e projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, me mbështetjen e Komisionit Europian.

“Projektet kapitale që janë në proces të ndërtimit janë rruga hyrëse dhe dalëse Gjilan-Prishtinë, Rruga e Kumanovës, pjesa e fundit e  rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan-Bujanoc, sikurse edhe pjesa e fundit e lumit Mirusha, derisa shtrati i lumit Stanishorka pritet të nis vitin e ardhshëm. Të gjitha këto projekte po i realizojmë me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, tha Haziri.

Në fund, kreu i Gjilanit ka u ka uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, të cilët i vlerësoi lartë për kontributin e madh që kanë dhënë për vendlindjen dhe po japin edhe më tutje.

You Might Also Like