Gjilan, 7 qershor 2019 / Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka mbajtur sot debat me qytetarë, ku i ka paraqitur rezultatet dhe sfidat e qeverisjes së tij për periudhën e parë të këtij viti, duke thënë se Gjilanin nuk mund ta nëpërkëmb më askush në planin e realizimit të projekteve të mëdha, për shkak të interesave të ngushta, ose lidhjeve që mund t`i ketë me ndokënd në Prishtinë. Ai ka kërkuar nga qytetarët pak durim, derisa të përfundohen projektet e filluara, të mëdha e të vogla, të cilat do të japin zgjidhje sistemore për shumicën e problemeve të trashëguara, si në qytet, ashtu edhe në fshatra.
Me këtë rast, kryetari Haziri ka përmendur disa prej projekteve të mëdha që do të fillojnë sivjet, ose që janë duke u realizuar, duke veçuar nënshkrimin e marrëveshjes me BERZH-in, që ka të bëjë me sistemimin e ujërave të zeza, një problem ky serioz në tërë Kosovën.
“Lajmi më i mirë për qytetarët e Gjilanit, për këtë vit, është ndërtimi i kolektorëve dhe impiantit të ujërave të zeza, një investim ky prej 26 milionë euro, i cili do të financohet nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), Banka Investuese Evropiane (BIE) dhe qeveria e Kosovës. Në këtë program të madh, që zgjidhë përfundimisht problemin e ndotjes, do të përfshihet qyteti dhe shumica e fshatrave të komunës së Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Autostrada e Gjilanit, është një projekt tjetër i madh që vazhdon sipas dinamikës së paraparë, ndërkohë që ne po bëjmë presion te qeveria për të filluar menjëherë me segmentin e dytë, nga Bresalci deri te Dheu i Bardhë, në mënyrë që projekti të përmbyllet brenda afatit prej tre vitesh, ka thënë Haziri.
Ai ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve hyrëse-dalëse në qytet, me katër krosi, në drejtimin e Bujanocit, ku tashmë është kryer segmenti i parë dhe pritet të vazhdohet segmenti i dytë, të Ferizajt, ku është duke përfunduar segmenti i dytë dhe të Prishtinës, ku në korrik pritet të fillojë segmenti i parë dhe të tria këto projekte do të vazhdohen tutje nga Ministria e Infrastrukturës, deri në kyçje me autostradën, përkatësisht deri në Kllokot.
Rruga e Kumanovës është një projekt tjetër që po punohet me mjete nga granti dhe buxheti i Komunës, ku përfshihet edhe rregullimi i infrastrukturës përcjellëse. Mirusha, një nga problemet më të mëdha të qytetit të Gjilanit për shumë vite, sivjet do të përfundohet në pjesën më të madhe, në mbi 90 për qind të projektit, ndërkohë që po punohet në rregullimin e stadiumit të qytetit, sipas kritereve të FIFA-s dhe UEFA-s, tregut të gjelbër dhe të tjera.
Kryetari Haziri ka përmendur edhe projekte të tjera në infrastrukturë rrugore, ujësjellës, trotuare, ndriçim publik, ujëmbledhës atmosferikë dhe të tjerë, që kryesisht janë projekte të buxhetuara.
Njëkohësisht, në parimin e barazie në investime, është punuar edhe në fshatra, ka thënë kryetari Haziri, duke dhënë një lajm të madh për banorët e Vërbicës së Zhegocit, ku javën tjetër do të fillojë asfaltimi i rrugës. Vërbica, asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur një metër asfalt, edhe pse viteve të kaluara i janë dhënë premtime shpeshherë për asfaltimin e rrugës.
Në vijim të këtij debati me qytetarë, Haziri ka folur për sukseset dhe sfidat në arsim, shëndetësi, bujqësi, administratë dhe sektorë të tjerë, duke thënë se është veçmas i kënaqur që çështja e tetarit është zgjidhur sa i përket anës financiare.
Një problem tjetër që Haziri e ka përmendur para qytetarëve, është vendimi për ndërprerjen e njëanshme të kontratës me partnerin austriak në “Ecohigjienë”, për shkak se nuk i ka përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes.
“Partneri privat nuk e ka realizuar marrëveshjen gati në asnjë pikë të saj, prandaj nuk kemi mundur të lejojmë më tutje që të vazhdohet në këtë mënyrë”, ka thënë Haziri.
Sa i përket uzurpimit të pronave publike, ai ka thënë se lista e uzurpatorëve do të bëhet publike të hënën dhe menjëherë pastaj do të vazhdohet me masa të tjera, deri në rikthimin e pronës.
Kryetari Haziri është përgjigjur edhe në pyetjet e qytetarëve, Arjeta Maka, Qëndrim Ramadani, Luan Aliu, Rexhep Sejdiu, Yll Isufi, Latif Ibishi e të tjerë. Duke u ndalur te çështja e emërtimit të rrugëve, ku ka pakënaqësi me disa emra konkretë, ai ka premtuar se do të ketë zgjidhje për kërkesat e arsyeshme, pavarësisht se komuna e Gjilanit është vonuar mjaft në procesin e unifikimit të adresave.
“Gabime ka, por përmirësimet do të bëhen dhe emrat e pa merituar do të largohen nga lista e emërtimeve”, ka thënë kryetari Haziri.