LAJME

Haziri: Nga e hëna, gjilanasit mund të vaksinohen kundër COVID-19 te QMF Dardania

Haziri: Nga e hëna, gjilanasit mund të vaksinohen kundër COVID-19 te QMF Dardania

Gjilan, 21 tetor 2021 – Komuna e Gjilanit njofton qytetarët se nga e hëna bëhet zhvendosja e shërbimit të vaksinimit nga palestra e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, në Qendrën e Mjekësisë Familjare Dardania.

Kërkesa e kamotshme e Komunës së Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për lirimin e hapësirave për klubet sportive u konfirmua sot pas takimit të zhvilluar të Komitetit të Gjilanit kundër përhapjes së COVID-19 me delegacionin e MSh-së, të udhëhequr nga sekretari permanent, Naim Bardiqi.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar delegacionin e Ministrisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunës së Gjilanit, në të mirë të ruajtjes së shëndetit publik.

“Zhvendosja e shërbimeve të vaksinimit kundër COVID-19 nga palestra e sporteve te QMF Dardania është lajm shumë i mirë. Kjo ka qenë kërkesë e jona e kamotshme për lirimin e hapësirave për klubet sportive dhe jam shumë i lumtur për këtë. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë ta bëjë maksimumin për ruajtjen e shëndetit publik dhe apeloj qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen në hapësirat e Qendrës së Mjekësisë Familjare Dardania”, ka thënë kryetari Haziri.

Gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 27626 mostra, 9838 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 9619 janë shëruar, 200 persona e kanë humbur betejën, 19 raste janë aktive, 82264 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 4 pacientë, ndërkaq 17 mostra janë në pritje për rezultat.

You Might Also Like