Gjilan, 23 maj 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënvizuar shumë projektet infrastrukturore që kanë filluar dhe që do të fillojnë, duke thënë se këto programe që Gjilanit do t’i japin pamje të re në infrastrukturë dhe zgjidhjen e problemeve në 50 vitet e ardhshme.
“Është e buxhetuar autostrada, ani pse do të ketë ngecje dhe vonesa. Pastraj ndërtimi i rrugës Gjilan-Prishtinë në 7 kilometërshin e parë, konkretisht hapja e korridorit nga tuneli në zonën urbane të Gjilanit deri tek lagja Gllama në Bresalc. Është investim i Bankës Evropiane për Zhvillim, e cila në këtë dhe korridorin tjetër nga Livoç- Kllokot”, ka thënë Haziri.
Ai pohoi se po vazhdojnë projektet e ndërrimit të gypave nëntokësor dhe orëmatësve për ujë duke u përcjellë me investimet në Moravën e Binçës dhe ky do të jetë investimi i parë pas 20 vjetëve që shkon në këtë shtrat të lumit.
“Vazhdojmë me ndërtimin e rrugës së Kumanovës, hapjen dhe zgjerimin e Gjilanit nga Drini Market në drejtim të Bunarit të Përlepnicës. Gjithashtu, program Floë, me Bankën Botërore që parasheh furnizimin dhe normalizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Gjilanit me Pendën e Përlepnicës, me burimet e reja dhe studimi në Llapushnicë të Gjilanit, te Shushtë në Viti dhe në Kremenatë të Kamenicës”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit e ka përmendur edhe projektin e madh, impiantin e ujërave të zeza, përmes Bankës Europiane për Zhvillim, Bankës Investive të Europiane dhe me investitorët e huaj.
“Një projekt tjetër është sheshi në qendër të Gjilanit, ku parasheh investime të mëdha në infrastrukturën nëntokësore për trajtimin e ujërave atmosferike, ndërrimin e gypave të ujit të pijes për shkak të humbjeve, investimin nëntokësor për kabllo duke përfshir edhte kabllot optike për internet”, tha ai.
“Ulja e trotuareve dhe zgjerimi i rrugëve janë në kuadër të lehtësimit të qarkullimit dhe njëkohësisht edhe integrimi i pjesës së gjelbër e parkut të Gjilanit me infrastrukturën ecje-trotuar dhe shtegun e biciklistëve, shtegun për persona me aftësi të kufizuara, në veçanti të verbërit, sinalizime dhe kënde të tjera që përfshin një rreth total prej 4. 5 hektarësh në qendër të Gjilanit, përfshirë këtu edhe rrënimin e objektit të vjetër të ish-ekzekutivit dhe ky investim do të filloj javën e ardhshme”, ka shtuar Haziri.
Ai njoftoi se në këtë fazë do të mbillen 100 drunj shtesë, me këresën e komunitetit dhe kjo në bazë të planifikimit të projektit dhe parashikimit të investimeve.