Haziri: Sot nënë e bir humbën betejën me COVID-19, dhimbje e madhe që duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët për t’u vaksinuar
Gjilan, 6 shtator 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Arifi nga Zhegra, pasi nëna Sadije Arifi dhe djali i saj, Agroni, e humbën betejën me COVID-19.
Haziri ka thënë se kjo është dhimbje e madhe për të gjithë dhe duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët që të vaksinohen kundër këtij virusi.
“Sonte kemi dhimbje të dyfishtë pasi nënë e birë, Sadije Arifi dhe djali i saj, Agroni, e humbën betejën me COVID-19. Kjo është dhimbje e madhe dhe duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët që të kenë kujdes maksimal, t’i respektojnë masat në fuqi dhe të vaksinohen domosdo, pasi është e vetmja mënyrë e ruajtjes së shëndetit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Arifi. Lutemi që të bëhen të fortë dhe ta përballoni këtë dhimbje të madhe”, ka thënë Haziri.