Haziri takohet me drejtorin e KEDS’it, diskutojnë për bashkëpunimin në realizimin e disa projekteve
Gjilan, 22 qershor 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça dhe drejtoresha per Zhvillim Ekonomik, Valbona Tahiri, është pritur sot në Prishtinë nga drejtori i Divizionit të Rrjetit në KEDS, Alpin Dogan dhe Avni Alidemaj nga menaxhmenti, ku u diskutua për punimet e këtij viti dhe projektet e vitit të ardhshëm për këtë komunë.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me disa projekte më emergjente që do implementojë KEDS në bashkëpunim të ngushtë me Komunën.
Kryetari Haziri i ka falënderuar përfaqësuesit e KEDS-it për pritjen, bashkëpunimin dhe për investimet që ka bërë në Gjilan.
“Jam i kënaqur me investimet e KEDS-it. Shtrirja e rrjetit nëntokësor dhe dislokimi i shtyllave është mjaft e rëndësishme për ne. KEDS ka qenë gjithmonë në gatishmëri për të gjitha kërkesat tona”, tha Haziri.
Drejtori i Divizionit të Rrjetit në KEDS, Alpin Dogan, u zotua se që nga java që vjen do të inspektojnë punimet afër stadiumit e qytetit për të instaluar rrjetin nëntokësor dhe dislokimin e shtyllave në këtë pjesë.
Në takim gjithashtu u diskutua edhe për kyçjen e një stadium ndihmës dhe dislokimin e rrjetit 35 kV në qytet.
Komuna, me këtë rast, ka ofruar bashkëpunimin për të gjithë këto kërkesa dhe ndihmë për kryerjen e shumë punimeve sipas nevojës.