Në vitin 2000, Kupën e Kosovës në Futboll e kishte fituar Gjilani e edhe në vitin 2001 ajo mbeti në qytetin e njëjtë, por kësaj radhe ajo i takoi Dritës, e cila nuk e fitoi lehtë këtë trofe, pasi që kundërshtari i saj, Gjilani deri në minutën 87 ishte në epërsi dhe ishte shumë afër mbrojtjes së trofeut të çmueshëm. Edhe në këtë ndeshje ishte i pranishëm rivaliteti i madh i skuadrave gjilanase si në fushë ashtu edhe në tribuna, në ndeshjen që u zhvillua në Prishtinë.
Ndeshjen e kishin përcjellë mysafirë të shumtë e ndër ta edhe Sylejman Starova, sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndeshjen nga qendra e kishte nisur veterani i futbollit kosovar – Zenun Brovina.
Fillimi premtoi lojë të cilësisë së lartë nga të dy skuadrat, të cilat në fillim ruajtën portën e vet. Rasti i parë ishte në minutën 14, kur Aliu i Dritës harkoi para portës ndërkaq kapiteni Isufi nuk e zuri topin për t’a ngulitur në rrjetë. Katër minuta më pas, Muji kaloi bukur nga ana e djathtë e gjeti Sahitin, i cili pa u hamendur gjuajti, por mbi portë. Nuk vonoi shumë e Gjilani shënoi gol. Në fakt, Muharrem Sahiti përfitoi shumë nga mosmarrëveshja ndërmjet Zeqrit dhe mbrojtësve Ademi e Statovci dhe dhuratën e dhënë qendërsulmuesi me përvojë e shndërroi në gol dhe gëzim të papërshkrueshëm të skifterëve. Nga ky çast, për çudi futbollistët e Gjilanit u tërhoqën tërësisht në mbrojtje e kjo i mundësoi Dritës që të vargojë sulmet, por edhe rastet që mbetën të pashfrytëzuara. Kështu rast të mirë pati Llumnica pas bashkëveprimit me Ogutën e Isufin, por që u pengua nga mbrojtësit e Gjilanit. Në minutën 29 Isufi befas vendosi të gjuaj nga largësia nga 27 metra, por në vend të rrjetës qëlloi tërthorësen. Veprim i bukur i pjesës së parë ishte ai në mes të Aliut e Salihut në minutën 35, por Ajdini e kuptoi gjuajtjen e tij.
Imazhi i animit korrekt u prish në minutën 42, kur shikuesit e të dy palëve përpos ofendimeve gjuanin në fushë gjësende të ndryshme, por vërejtja se ndeshja mund të ndërpritet si duket e bëri të veten, andaj loja vazhdoi pa ndonjë incident të madh.
Edhe në pjesën e dytë Drita ishte prore në kërkim të barazimit të rezultatit, ndërkaq Gjilani kërkonte rastin e vet nga kundërsulmet, por ishte e qartë se diçka nuk ishte në rregull me sulmuesit e saj, të cilët në të shumtën e rasteve ishin vetjak dhe fare nuk i vërenin bashkëlojtarët e vetmuar. Në minutën 52, Behrami, i cili gjuan bukur, por Ajdini me mund të madh e dëbon topin jashtë fushe. Gjilani ka mundur t’a shtojë epërsinë në minutën 57, kur Kollari e gjeti Sahitin e ky me kokë vazhdoi te Muji, i cili nuk ishte i saktë. Kurse në minutën 70, Behrami nga gjuajtja e lirë e rrezikoi Ajdinin, por portieri i Gjilanit përsëri e dëboi topin jashtë. Po të ishte më i vëmendshëm, Jahi Sermaxhaj në minutën 71 do të rrezikonte shumë më tepër Zeqirin, duke shfrytëzuar pakujdesinë e mbrojtjes së Dritës, të cilët e kishin lënë të vetmuar në anën e majtë, por Sermaxhaj gjuajti drejt në portierin kundërshtar. Rasti më i mirë i Dritës ishte ai i minutës 80, kur Ismaili na 7- 8 metra paraboloi portierin, por edhe portën e Gjilanit. Një minutë më vonë Muji në kundërsulm u tregua vetjak, ndërkaq në minutën 84 Osmani i Dritës në vend të rrjetës e qëlloi tërthorësen. Megjithatë, tre minuta para përfundimit, Drita barazoi rezultatin përmes Xhevdet Llumnicës, i cili iu përvodh mbrojtjes së Gjilanit dhe kur u ballafaqua me Ajdinin e mposhti atë me mjaftë rutinë, duke shkaktuar erupsion ndër “intelektualët” dhe duke ngjallur shpresat e tyre se mund të arrihet deri te trofeu aq i dëshiruar. Kështu ndodhi edhe gjatë kryerjes së penaltive, kur ishin më të përqendruar. Në fakt të dy palët ekzekutuan penaltitë me efikasitet të rrallë, kurse portieri Zeqiri duke kuptuar gjuajtjen e Hodait në rrethin e shtatë përmirësoi gabimin e golit të pranuar në kohën e rregullt. Ishte e qartë se me dëshirë Hodai nuk do të gjuante fare, por i shtyrë nga bashkëlojtarët e bëri këtë dhe dështoi.
Kupën futbollistëve të Dritës ia dorëzoi Zenun Pajaziti, kryesues i Departamentit të Sportit të Kosovës.
Gjilani – Drita 1:1 (7:8 me penalti)
Stadiumi i Qytetit në Prishtinë. Shikues: 10000. Gjyqtarë: B. Hoxha, V. Ibrahimi, I. Mustafa. Kartoni i verdhë: Sahiti, Sadriu, Muji (Gjilani), Statovci, Isufi (Drita). Shënues në kohën e rregullt: Muharrem Sahiti 20’ – Xhevdet Llumnica 78.
Shënues nga penaltitë: Jerliu, Kollari, Sadriu, Halili, Ajeti, Muji (Gjilani) dhe Bakia, LLumnica, Osmani, Isufi, Statovci, Salihu e Statovci (Drita).
Gjilani: Ajdini, Xhemajli (Bejtullahu), Sadriu, Ajeti, Jerliu, Terziu (Halili), Berisha (J. Sermaxhaj), Hodai, Sahiti, Kollari, Muji.
Drita: Zeqiri, Statovci, Sahiti, Salihu, Ademi, Oguta (Ismaili), Osmani, Isufi, Llumnica, Behrami (Bakia), Aliu.
Kryelajmi.com