KULTURA

“I sëmurë” pas eksponateve e ato i dhuron falas

Eksponati nuk ka vlerë nëse rri i mbyllur, nëse atë nuk e sheh askush, andaj ato duhet dhuruar aty ku secili vizitorë ka mundësinë t’i shoh, thotë gjilanasi Abdylfetah Limani, që ka dhuruar rreth 40 eksponate.

 

Kur flet për eksponatet arkeologjike dhe rëndësinë e tyre, gjithkush do të mendonte se ai ka të kryer fakultetin e arkeologjisë, apo edhe ndoshta të historisë, por Abdylfetah Limani, banues në Gjilan, jo që nuk i ka kryer këto fakultete, por as që ka ndjekur ndonjë kurs të këtij lloji. Abdylfetahu, tashti 47- vjeçar, për vete thotë se është vetëm një tregtar i vogël, por që jeta e tij kishte ndryshuar para 14 vitesh, kur ishte duke punuar në arë dhe aty rastësisht në tokë kishte gjetur monedha të vogla dhe gjetje nga qeramika. Ai i kishte mbledhur ato dhe i kishte dërguar në shtëpi e më pas doli se ato ishin të vjetra 1200 deri në 1600 vite. Edhe enët, të njohura në arkeologji si terakote i përkisnin asaj periudhe dhe ai tashti gjashtë monedhat dhe dy terakotet po i mbante dhe po i ruante në shtëpi. Aq shumë i kishin bërë përshtypje ato, sa që Abdylfetahu, kur dëgjonte se dikush ka gjësende të tilla, shkonte dhe i blinte ato, ose kryente punë për to dhe pas një kohe ai në shtëpi kishte mbi 30 eksponate.

 Muzeun e konsideron shtëpinë e tij të dytë

 Në Gjilan po konsolidohej Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila në planin e punës kishte paraparë që në rajon një ditë do të hapej një muze rajonal, andaj zyrtarë të saj kishin trokitur në derën e shtëpisë së Abdylfetahut, i cili i kishte mbledhur në një vend gjetjet edhe të fshatarëve të tjerë, jo vetëm nga fshati i tij, por edhe nga rrethina. Tashti, kur Abdylfetahu kishte mësuar se këto gjetje i përkisnin civilizimit ilir edhe më shumë ishte dashuruar në to, fliste për to, kurse edhe njerëzit filluan t’i afrohen atij, t’ia sillnin edhe në shtëpi. Ai lidhi miqësi me punëtorët e QRTK-së dhe, edhe pse e kishte ditur se cila është ishte rëndësia që shteti të përkujdeset për eksponatet, ai u bind edhe më shumë nga punëtorët e qendrës dhe kur ngopej së shijuari e vrojtuari eksponatet, nisi që kohë pas kohe, nga disa sish, t’ia dhuroj qendrës, numër ky që tashti ka arritur në rreth 40 eksponate. Edhe pse disa syersh i kishte blerë me të holla, Abdylatifi, asnjëherë nuk e shiti asnjë eksponat, por i dhuroi falas, për siç thekson ai, për QRTK-në dhe Muzeun e Gjilanit. Ai ka edhe eksponate të tjera në shtëpi dhe premton se edhe ato do t’i dhurojë.

“Unë nuk jam arkeolog që saktësisht t’a them se çfarë vlera kanë eksponatet, apo që të them saktësisht se cilës periudhë i përkasin, por besoj se ato janë të periudhave të ndryshme, që nga periudha ilire, romake, nga neoliti e këtej. Jam “i sëmurë” pas eksponateve, ku kam dëgjuar se dikush i ka, ia kam kërkuar, ia kam blerë. Ato i mbaj 5-6 muaj në shtëpi, i shijoj dhe më pas ia dhuroj QRTK-së”, thotë Abdylfetah Limani, i vetëdijshëm se aty do të ruhen më mirë, se aty do t’i vlerësojë edhe dora e ekspertit dhe se nesër, kur të hapet Muzeu i Gjilanit, vlerat e tyre do t’i shijojnë të gjithë vizitorët.

“Kam edhe disa eksponate në shtëpi, por do të mbledh edhe të tjera dhe të gjitha do t’i dhuroj, kurse kur të hapet Muzeu, ai do të jetë shtëpia ime e dytë dhe aty do të vijë t’i vizitojë sa herë që të më merr malli për to”, shprehet Abdylfetah Limani, që i gëzohet muzeut si ndërtimit të shtëpisë së tij dhe i fton edhe qytetarët e tjerë që eksponatet që i kanë t’i dhurojnë për nevoja të muzeut, sepse siç thotë ai “eksponati nuk ka vlerë nëse rri i mbyllur, nëse atë nuk e sheh as

Ka njerëz që e mbajnë mbyllur trashëgiminë tonë

 Sherafedin Kadriu, zyrtar në QRTK, thekson se nuk janë sikur Abdylfetahu të gjithë koleksionuesit, ngase siç thotë ai, ka njerëz që nuk i dhurojnë ato, bile nuk lënë as që të evidentohen e të fotografohen. Megjithatë, QRTK nuk i ka bërë publik emrat e personave të tillë, ngase beson në vetëdijesimin e tyre, kurse Abdylfetahun e merr si shembullin më të mirë, i cili eksponatet ia dhuron qytetit të vet.

Ismet Tafili, nga kjo qendër, që ka bërë shumë vizita në terren, thotë se eksponate të shumta ka në duar të njerëzve dhe ka edhe dhurues të tjerë, por që disa prej tyre qendra ende nuk i ka marrë shkaku i hapësirës, por që me hapjen e Muzeut ato do të ekspozohen për vizitorët.

Ndrysh, Artan Hoxha, drejtor në QRTK, thotë se shembulli i Abdylfetah Limanit, duhet të përkrahet nga të gjithë. Sipas tij, mbi 300 eksponate vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të ndërtesës së Muzeut, objekte këto që datojnë që nga shekulli i dytë para epokës së re e deri te objekte të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar dhe tashti ato vetëm presin hapjen e muzeut në mënyrë që vizitorët të munden t’i shohin ato.

 

You Might Also Like