OPINION

Idriz Seferi dhe monologu i tij

Idriz Seferi, kreshniku i Malësisë së Karadakut  në një kohë pati thënë: “Boll u mundova me ba Shqipni, por zor ish, bre!” Pse jo? Ai luftoi pa u ndalë me okupuesit e kohës. Luftoi në Kaçanik, Shkup e shumë mese të tjera të Kosovës. Luftën asnjëherë nuk e ndali. Ishte trim mbi trima. E quajtën Kalorësi i Karadakut. Por, ai qe edhe njeri i ndershëm e luftëtar i paepur për liri. Trimëria e tij kishte marrë dhenë.

Sa herë e ftonin qeveritarët për të biseduar, ai as syrin nuk e trembte. U thoshte, unë po luftoj për vendin e për popullin tim. Kur e ftuan në qendrën e Beogradit për ta dënuar 101 vjet burg, ai nuk e luajti as vetullën, se lëje fjalën e punën. E mori një gazetë ta lexojë krejt ndryshe nga ishte e mbara. E lexonte mbrapsht. Ata i thanë: “Idriz bej, gazetën po e lexon mbrapsht”! Jo, ju përgjigj ai. “Unë e lexoj kështu, se lehtë është ta lexosh drejt”.

Dhe, sa herë vijnë familarët dhe qytetarët për ta nderuar kreshnikun e Karadakut tek shtatorja e tij, aty ku pushon i qenë dhe pa kthim pas, ata i dëgjojnë ndonjë fjalë se, Baca Idriz është zemruar pak. Dhe, këto fjalë i përgjonin prej tij, por kishin droje t’i përfolnin. ” Po, tha xha Idrizi”, – nuk e dita bre se vjen kjo kohë kështu. Unë luftova për Shqipni, por zor ish, bre! Luftova kundër ushtrisë turke në Kaçanik e vende tjera. A nuk e meritoj unë të jem para shokëve të mi, se e meritoj?

A e dini se, kur isha atë kohë, që sot s’mund ta merrni me mend, s’ka pasur shqiptar që nuk më ka ngu. Kur i kam thënë njerëzve se, gjakun duhesh me falë, ata janë shtangur. U thosha, prej sotit, nëse këtij miku gjakun nuk ia falë, ke punë me mua! E, zor qenka mu ba pris i nahijesë”. Afrohet një plak i Karadakut dhe po e përgjon Bacën Idriz se çka po flet:

“Pasha bacën, tash e 89 vjet shkova në atë vend ku nuk ka kthim pas. Rendin e kam respektuar. Këtu, ku jam unë, edhe juve ju vjen rendi. Unë nuk kthehem atje ku jeni. Ju e dini se, burrat e kanë një fjalë: o burrë, ose hiç burrë! Po më vjen shumë inati, bre. Po dua të pëlcas, por ju nuk po e ndjeni këtë hidhërim timin. A bëhet të dali një yni para meje, e unë isha para tij. Kush po e bën këtë? S’po ju vjen marre, o burra. Unë nuk i urrej edhe këta të vonshmit, që kanë ardhur tek unë, mu aty afër meje janë, por, në jetë ka pasur rend. Ky rend është sipas Kanunit të Lekës.

Mosni burra, se s’e ka vendin tim asnjë prej atyre çka po dëgjoj të jetë i”gjallë” para meje. Ju po e bëni këtë me të njofshëm. S’ka histori e as meritë me njohësi. Ka vetëm drejtësi e histori që është shkruar me gjakun e shokëve të mi. Unë luftova, por s’kam luftuar që sot të luajnë me ne. Mosni, o burra, se unë nuk mund të vij tek ju ku jeni. Ju do të vini tek ne…

Kur të vini, do të mësoni se keni gabuar shumë. Kjo ishte kërkesa ime. Duhet krejt me rend të shkojnë punët. Krejt, bacit. Pa rend, edhe këtu ku jam unë si i “gjallë” nuk ka vend. Ta dini, kur këtë “ligj” e shkelni, një ditë, kur do të vini, do të kem fjalë me ju. Zoti ju ruajtë. Ju atje, e unë këtu, ku jam, do ta na mallkojë i madhi që po bëni padrejtësi. Unë kam luftuar natë e ditë për të drejtën e popullit tim. Ai (populli) më ka dashur dhe ia dhurova lirinë e pritur…

Populli më ka dashur se kam punuar drejt. E kam ndihmuar kur ka qenë më së nxori. Ju sot jeni të lirë. Lirinë e fituat, por kjo liri e ka nisjen qysh në kohën time e më herët. Lirinë duhet ta

ruani. Ajo njëherë fitohet. Ajo është e shtrenjtë, se është derdhur gjak. Unë po lëngoj se kam dhënë nga veti gjak e mundi. Këtë duhet ta keni në konsiderim. Nuk po më vjen mirë se si po e urreni njëri-tjetrin. Kjo s’bën. S’bën, se këtë traditë ia lëni fëmijëve të juaj. U pafshim ju atje në liri, e unë këtu i “gjallë” në vetmi e pa shoqëri!” Kështu foli Baca Idriz, i cili, kur i kishte ardhur një minutë “leje”, ai foli në fund e tha:

“Mos u merrni me të keqen, se të keqen e mbjellni. Më lërni rehat edhe këtu ku jam tash e 89 vjet më parë. Zoti ju ndihmoftë”!,- u dëgjua monologu i Bacës Idriz Seferit, Kreshnikut të Kardakut. / Tefik Selimi

 

 

You Might Also Like