LAJME

Gjilani mbi 5 milion euro tenderë kompanive “Jabanxhi”


Bizneset e Gjilanit po diskriminohen nga qeverisja komunale, ato nuk po mund të marrin punë në projektet kapitale që po realizohen në komunë, ndërsa kompanitë e huaja nga qytetet tjera të Kosovës po shpërblehen me shumë tenderë dhe me miliona euro nga qeverisja e Lutfi Hazirit. Gjatë qeverisjes tij iu dhanë 56 tenderë kompanive “jabanxhi” në vlerë prej 5,1 milion euro vetëm nga buxheti komunal, pa përfshirë edhe tenderët tjerë të dhënë nga ministritë për projektet që financohen nga to.

Vetëm gjatë vitit 2016 komuna e Gjilanit i ka dhënë 17 tenderë në vlerë mbi 2.5 milion euro (2,527,216.24€) bizneseve të ashtuquajtura nga kryetari i komunës si “jabanxhi”. Dhe kjo është e papranueshme sepse gjysma e buxhetit komunal, nuk po mund të shfrytëzohet nga kompanitë tona dhe që do të ndikonte në përmirësimin e afarizmit të tyre dhe në rritjen e punësimit për qytetarët e Gjilanit.

Ishte vet kryetari i komunës Lutfi Haziri kur në muajin qershor të këtij, kishte deklaruar se “Jam kundër jabanxhinjve, por nuk po kemi qare pa i sjell në Gjilan sepse kompanitë tona po tregohen shumë joserioze”.

Dhe për vetëm tre muaj pas kësaj deklarate të tij, Zyra e Prokurimit në Gjilan e lëshoi dorën me tenderë, duke u dhënë miliona euro tenderë kompanive “jabanxhi”, kryesisht atyre të Prishtinës, të cilat për këta muaj morën 10 tenderë të majmë në komunën tonë në vlerë prej 1.8 milion euro.
Sipas deklaratës së kryetarit të komunës, del që kompanitë “jabanxhi” na qenkan më serioze. Kjo vërtet është absurde, sepse dallaveret më të mëdha i kanë bërë këto kompani “jabanxhi” me projektet e Gjilanit.
Dihet shumë mirë se çfarë ka ndodhur me projektin e Bibliotekës së qytetit, me objektin e Policisë së Kosovës i cili ka mbetur në gjysmë qe 5-6 vite, si dhe me të tjera projekte, e për të cilat asnjëherë nuk janë marr organet e hetuesisë, a thua ndaj kompanive jabanxhi nuk kanë guxim të kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet, apo ndoshta sepse ato e kanë mbështetjen e fuqishme të kryetarit të Gjilanit.
Kryetari i komunës një nga një po i falimenton bizneset e Gjilanit, për çdo vit të qeverisjes së tij po i shuan me qindra vende të punës, për çdo ditë po e thellon krizën ekonomiko-sociale duke ia vështirësuar qytetarit jetën normale për familjet e tyre.

Riad Rashiti, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së

You Might Also Like