ARSIMI

Institucionet dhe shkollat të krijojnë mekanizma për parandalim, raportim dhe trajtim të duhur e me kohë të dhunës ndaj fëmijëve

 

Organizata jonë, Syri i Vizionit, është jashtëzakonisht e shqetësuar lidhur me rastet e fundit të ngacmimeve seksuale ndaj vajzave të mitura. Këto raste dëshmojnë mungesën e mekanizmave të duhur, miqësorë dhe të besueshëm në institucione, e veçanërisht në shkolla që fëmijët/nxënësit të ndihen të sigurt për t’i raportuar me kohë rastet e ngacmimeve dhe dhunës ku ata janë viktima apo dëshmitarë të këtyre dukurive në shkolla dhe jashtë saj.

Besojmë se mos-raportimi dhe mungesa e kuadrove brenda shkollës për të punuar më shumë në parandalim të dhunës bën që rastet që ndodhin të mos trajtohen dhe raportohen me kohë dhe në pajtim me standardet e kërkuara. Për rrjedhojë, kjo sjell deri tek rritja e ngacmimeve ndërmjet bashkëmoshatarëve, ngacmime këto që përfundojnë në dhunë fizike, emocionale, psikologjike e seksuale, duke mos harruar edhe rastet e dhunës e ngacmimeve seksuale të cilat kanë ndodhur edhe nga ana e disa mësimdhënësve. Për fat të keq, për këto raste veprohet vetëm atëherë kur ato bëhen publike në media, qoftë përmes videove apo fotografive, me ç’rast fëmijët/të miturit përjetojnë dhunë për herë të dytë dhe shkatërrohet personaliteti i tyre nga ana e mediave të cilat jo rrallë shkelin etikën profesionale kur raportojnë për këto raste. Duke mos ruajtur konfidencialitetin e viktimës dhe abuzuesit, këto raportime nxisin frikë dhe shqetësim për të gjithë fëmijët dhe prindërit e atyre që vijojnë mësimin në atë institucion edukativo-arsimor dhe lehtë identifikohet viktima dhe abuzuesi, qoftë i mitur apo i rritur.

Rastet e ndodhura së fundmi duhet të trajtohen me urgjencë dhe seriozitet nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë si dhe institucioneve të tjera të cilat ofrojnë shërbime psikologjike, shëndetësore e rehabilituese. Mosfunksionimi i duhur dhe me kohë i këtyre institucioneve ndikon dhe le pasoja të pariparueshme për të miturit që kanë përjetuar dhunë dhe ngacmime seksuale dhe familjet e tyre. E, siç u dëshmua me rastin e fundit të vrasjes në qytetin e Pejës.

Institucionet qendrore duhet të hartojnë dhe bashkërendojnë politikat e tyre mbrojtëse për fëmijët duke krijuar mekanizma miqësorë dhe të besueshëm për raportim të dhunës, çfarëdo natyre qoftë ajo. Shkollat nuk duhet t’i “fshehin” rastet e dhunës dhe t’i minimizojnë ato, por të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe kërkojnë ndihmën edhe të institucioneve jashtëshkollore kur u mungojnë kapacitetet për t’i trajtuar këto raste. Ato duhet t’i raportojnë këto raste tek institucionet përgjegjëse, siç kërkohet me rregulloren “QRK-NR21/2013 për protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit para-universitar”.

Dy rastet e fundit duhet jenë një alarm për të gjitha institucionet të cilat merren me mbrojtjen e fëmijëve, ofrimin e shërbimeve dhe edukimin. Në bashkërendim me shkollat dhe akterët tjerë, Këshillin e Prindërve, organizatat vendore e ndërkombëtare, ato duhet të hartojnë politika praktike për parandalim dhe raportim të të gjitha llojeve të dhunës në shkollë e jashtë saj.

Organizata jonë është e gatshme të ofrojë tërë potencialin e saj profesional, njerëzor e logjistik dhe praktika e politika praktike të testuara e të krijuara në disa shkolla e komuna të Republikës së Kosovës tash e dhjetë vjet. Bazuar në këtë përvojë, rekomandojmë:

Krijimin e mekanizmave miqësorë në shkolla për raportim të dhunës dhe dukurive tjera negative, siç është kutia e ankesave e menaxhuar nga një komision të përbërë nga mësimdhënësit, prindërit dhe përfaqësuesi i nxënësve, psikologu e pedagogu i shkollës;

Fuqizimin e Këshillit drejtues i shkollës përmes hartimit të planit të punës, specifikisht në parandalim të dhunës dhe dukurive tjera në shkollë;

Inicimin e një dialogu social në mes të shkollës (mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve) me Qendrat për Punë Sociale dhe Policinë;

Shkollat vazhdimisht të ofrojnë trajnime për mësimdhënës lidhur me llojet e dhunës, si të identifikojnë, parandalojnë dhe raportojnë rastet e tilla me kohë;

Në shkolla të ofrohen shërbime psikologjike, jo vetëm për nxënësit por edhe mësimdhënësit e prindërit, qoftë përmes punësimit të psikologut apo krijimit të një grupi psikologësh që me ditë të caktuara të qëndrojnë në shkollë;

Ministria e Arsimit së bashku me Drejtorinë e Arsimit dhe shkollat të ofrojnë këshilla për prindër, se si të punojnë më fëmijë për parandalim të dhunës, shfrytëzimin e internetit për nevoja mësimore dhe fuqizimit të bashkëpunimit mësimdhënës, prindër dhe nxënës;

Ministria e Arsimit së bashku më Drejtoritë e Arsimit të promovojë politika për parandalim dhe referim të dhunës dhe të shtoj inspektimet në shkolla;

Të obligohen shkollat që rastet e dhunës të raportohen në sistemin për menaxhimin e informatave në arsim (SMIA), në pajtim me Rregulloren QRK-NR21/2013 për protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit para-universitar”;

Të ndërmerren masa ndaj menaxhmentit të shkollës dhe mësimdhënësve të cilët rastet e dhunës tentojnë t’i fshehin apo bëjnë presion të fshihen ose të mos raportohen me qëllim të ruajtjes së imazhit të shkollës;

MASHTI duhet të krijojë dhe mbikëqyrë zbatimin e politikave brenda shkollës të cilat kanë të bëjnë më mbrojtjen ë fëmijëve dhe respektimin e të drejtave të tyre në bashkëpunim me Inspektoratin e Arsimit dhe Drejtoritë e Arsimit;

MASHTI duhet të promovojë politika që nxisin shkollat të raportojnë dhe trajtojnë rastet e dhunës, duke ju dhënë epitetin e “shkollë e sigurt”, e jo siç paragjykohet sot se ato shkolla të cilat raportojnë dhe trajtojnë rastet e tilla nuk janë të sigurta.

You Might Also Like