Klubi polak Polonia Warszawa ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit kosovar Hajdin Salihu. Futbollisti 23-vjeçar i bashkohet ekipit nga Varshava në formë huazimi njëvjeçar me të drejtë blerjeje, siç është bërë e ditur në faqen zyrtare të klubit.
Salihu vjen nga skuadra ukrainase LNZ Cherkasy, ku gjatë sezonit 2023/24 ka zhvilluar 34 ndeshje në ligën e parë ukrainase, duke shënuar katër gola.
Ai ishte pjesë kyçe e skuadrës dhe ka treguar aftësi të larta në fazën mbrojtëse dhe përfshirje aktive në sulm.
Salihu ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Kosovës (U16, U17, U19), si dhe ka marrë ftesë edhe nga Shqipëria U21, duke reflektuar potencialin dhe vlerësimin që ka gëzuar në nivele të ndryshme ndërkombëtare.
Në prezantimin e tij si futbollist i Polonia Warszawa, Salihu tha se pret të përshtatet shpejt te klubi polak.
“Liga ukrainase ku luajta së fundmi është shumë fizike dhe mendoj se është e ngjashme me kampionatin polak. Ndihem rehat në këtë stil loje dhe dua ta tregoj në fushë. Kam luajtur më parë në vende të ndryshme si Kroacia dhe Ukraina, ndaj përshtatja me një mjedis të ri si Varshava nuk përbën problem për mua. Besoj se do të ambientohëm shpejt dhe do të jap maksimumin tim”, deklaroi Salihu.
Polonia Warszawa sheh në Salihun një përforcim të rëndësishëm për repartin mbrojtës dhe një lojtar me potencial për të kontribuar edhe në të ardhmen, në rast se opsioni i blerjes përfundimtare aktivizohet pas përfundimit të huazimit.
Klubi i ri i Salihut bënë gara në Ligën e Parë (niveli i dytë në futbollin polak), derisa synim ka ngjitjen në elitën e futbollit polak.