Futboll

Ish-përzgjedhësi i Kosovës U19, Adil Maliqi, pritet të rikthehet me klub të ri

Trajneri i mirënjohur dhe ish-përzgjedhësi i Kombëtares U19 të Kosovës, Adil Maliqi, pas një aventure të suksesshme në Zvicër me FC Schaffhausen, është në prag të një angazhimi të ri. Ai ka ndarë rrugët me këtë klub, ku kishte udhëhequr me sukses grupmoshën U18, duke e transformuar skuadrën nga pozita e parafundit në tabelë drejt fazës së Play Off-it.

Në një deklaratë pas largimit, Maliqi u shpreh falënderues për bashkëpunimin profesional me drejtuesit e FC Schaffhausen. “Për një kohë të shkurtër, këta të rinj i gjeta në pozitën e parafundit, por me punë, përkushtim dhe disiplinë, arritëm që të kualifikohemi për garat e Play Off-it.

Jam shumë krenar që isha pjesë e këtij klubi ku gjithçka ka qenë profesionale. U uroj suksese të mëdha në të ardhmen,” theksoi Maliqi. Ish-përzgjedhësi i Kosovës U19, për afër dy vite në krye të kombëtares, arriti rezultate kulminante dhe zbuloi shumë talente premtuese. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe kërkesave të paplotësuara nga institucionet përkatëse, ai u detyrua të largohet nga futbolli kosovar – një humbje e madhe për zhvillimin e talentëve vendas. Pas largimit nga FC Schaffhausen, interesimi për Maliqin ka qenë i menjëhershëm. Ai është kontaktuar nga disa klube zvicerane dhe pritet që brenda 4-5 ditësh të bëhet e ditur skuadra e tij e re.

“Jam në kontakt me disa klube, nuk po ngutem. Unë jam trajner i sfidave dhe më intereson të lë gjurmë aty ku punoj. Nuk është primare për mua nëse klubi është me renome apo jo, për mua është projekti që kanë dhe serioziteti për ta zbatuar atë,” tha Maliqi.

Adil Maliqi është pjesë e një gjenerate të re trajnerësh që kërkojnë sfida, vlerësojnë punën me të rinjtë dhe synojnë rezultate të qëndrueshme. Në secilin klub ku ka punuar, ai ka lënë gjurmë të thella dhe ka dëshmuar se me përkushtim mund të arrihen rezultate të mëdha.

You Might Also Like