Gjilan

Ismajli: Asnjëherë dhe askund nuk kemi bërë ndasi politike në investime

Ismajli: Asnjëherë dhe askund nuk kemi bërë ndasi politike në investimeπ
Gjilan, 11 shkurt 2021 / Kuvendi Komunal i Gjilanit (KPGJ), nën udhëheqjen e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar sot rregulloren për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve, statutin e Qendrës Kulturore Evropiane, vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në Zonën “B 4“ në kuadër të PRRU “Kodra e Thatë”, vendimin për plotësimin e vendimit të datës 18.09.2017 për ndryshimin e destinimit të planifikuar në një pjesë të parcelës kadastrale nr.5206-0, në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit” në Gjilan, vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme komunale, vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave.
Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe kërkesën për ndarjen e mjeteve financiare për deshifrimin dhe përkthimin e mbishkrimeve osmane në varreza në regjionin e Anamoravës, të cilin e paraqiti drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, plotësimin e vendimit për ndarjen e lokacionit për vendosjen e shtatores së Qahil Agushit në Zhegër, duke i specifikuar parcelat, përkatësisht vendimin për lirimin e bizneseve nga pagesa e taksës komunale për vitin 2021.
Po ashtu, Kuvendi u informua edhe për suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020-2021 dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, ku sqarime plotësues në interesimet e këshilltarit Nevzad Isufi (LVV) dha drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, i cili tha se përkundër sfidave nga pandemia, komuna e Gjilanit, është e vetmja që nuk ka mbyllur asnjë shkollë.
Plotësimi dhe ndryshimi i kushteve ndërtimore në Zonën “B 4“ në kuadër të PRRU “Kodra e Thatë” si dhe plotësimi i vendimit të datës 18.09.2017 për ndryshimin e destinimit të planifikuar në një pjesë të parcelës kadastrale nr.5206-0, në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat i paraqiti dhe i arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, duke sqaruar se në rastin e parë kërkesa është iniciuar nga qytetarët dhe ka të bëjë me rritje të koeficientit të ndërtimit, ndërkaq në rastin e dytë ka të bëjë me bashkëngjitjen e elaboratit, zgjuan interesim e opozitës (PDK e LVV), e cila nuk i mbështeti këto ndryshime me arsyetim se janë të paligjshme, duke thënë se është dashur të bëhet një zgjidhje për tërë vijën ndërtimore dhe jo një zgjidhje e pjesshme.
Sa i përket vendimit paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme komunale, që u përkrah unanimisht, sqarime dhe përgjigje sipas interesimit të anëtarëve të Kuvendit dha Sali Fazliu, drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër, i cili saktësoi se pronat gjenden në zonat kadastrale Ponesh dhe Livoç i Epërm dhe se dhënia e tyre në shfrytëzim ka për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Përndryshe, me pyetje dhe interesime konkrete për probleme kryesisht infrastrukturore, pastaj për emërtimet e rrugëve, kamerat e sigurisë në rrugë, pagat jubilare në shëndetësi, tatimin në pronë dhe rritjen e përshkallëzuar të tij, taksën komunale për vetura, për tubimet në kushtet e pandemisë, përkujdesjen për fshatrat kufitare, imponimin e kurseve private për nxënës, ndihmat financiare për personat e prekur nga virusi, kompensimi i dëmeve nga vërshimet dhe të tjera, janë paraqitur këshilltarët Nevzad Isufi, Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Krenare Latifi, Shefik Surdulli, Isa Agushi, Arijeta Rexhepi, Anila Tusha, Fitim Guda, Ibish Ibishi, Xhelal Hajrullahu, Festa Shabani, Riza Abdyli, Arta Haziri Nuhiu, Avdyl Aliu.
Sa i përket emërtimit të rrugëve dhe rastit konkret në lagjen Smakaj në Cërnicë, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli tha se ankesa për ndërrimin e emërtimit fillestar, nuk është bërë në afatin e caktuar ligjor. Është e vërtetë që parashtruesi i ankesës ka vendosur tabelën, por ne kemi qenë të detyruar ta heqim atë, sepse ka pasur reagime të banorëve, meqë rruga ka qenë e emërtuar në bazë të procedurave të rregullta ligjore, ka thënë ai.
Në lidhje me zhdëmtimin e pasojave nga vërshimet, Ismajli sqaroi se vlerësimi është bërë sipas kërkesës së ministrisë, por deri tani nuk ka asgjë zyrtarisht sa i përket kompensimit.
“Personalisht nuk jam optimist për këtë ndihmë, sepse me aq sa kam dëgjuar është një fond prej 1 milion që qeveria e ka ndarë, ose ka menduar ta ndajë, derisa vlera e dëmit vetëm në komunën e Gjilanit shkon në 1.5 milion euro”.
Kurse sa i përket investimeve në infrastrukturë, ai u shpreh i bindur se asnjëherë dhe askund nuk është bërë ndasi politike, megjithëse ka ndonjë vend ku ende nuk kemi mundur të arrijmë me investime.
“Rruga për Zhegoc ka qenë në gjendje të mirë, por ajo është dëmtuar shumë nga punimet që po zhvillohen në autostradë dhe sipas Ministrisë së Infrastrukturës rruga do të rinohet komplet nga kompani që e ka dëmtuar’, ka thënë Ismajli, duke u përgjigjur në disa prej pyetjeve të këshilltarëve.
Në lidhje me emërtimet, sqarime shtesë për rastin në Cërnicë kanë dhënë edhe Bardhyl Syla, kryetar i komisionit për emërtimin e rrugëve, i cili tha se nuk kanë mundur t`i marrin parasysh ankesat e kësaj pale në lagjen Smakiq, meqë janë bërë pas afatit si dhe Bekim Bajrami nga Urbanizimi, i cili tha se një zgjidhje për këtë rast mund të bëhet nëse do të ketë një fazë të tretë të plotësimit dhe korrigjimit të emërtimeve.
Përgjigje në interesimet tjera të këshilltarëve kanë dhënë edhe drejtorët Nevzad Rushiti (Inspekcioni), Naser Korça (Shërbimet Publike), Bardhyl Syla (Admnistrata) dhe të tjerë.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se këshilltarët komunalë mund të orientohen edhe drejtpërdrejt te drejtoritë përkatëse për pyetje dhe interesime konkrete dhe atje do të marrin përgjigjet e duhura, pa qenë e nevojshme të ngarkohet seanca.
Sa i përket mbajtjes së seancës së Kuvendit, në kohën e fushatës zgjedhore, për çka kishte vërejtje nga opozita, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini sqaroi se vonesa ka ndodhur shkaku i pandemisë dhe reduktimit të stafit në administratën e Kuvendit, për këtë arsye.

You Might Also Like